Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur në një deklaratë për mediat, në prani të forcave të Policisë së Shtetit, lidhur me protestat e dhunshme që po zhvillohen në vend.
Rama theksoi se personat që fshihen pas akteve të dhunës ndaj policisë nuk i konsideron studentë, por njerëz që kërkojnë rrëmujë dhe kaos. Ai i cilësoi ata si pengje të rrethanave dhe si njerëz pa shkollë.
Kreu i qeverisë shqiptare shtoi se protesta të ngjashme po zhvillohen në vende të ndryshme, por, sipas tij, në asnjërin prej këtyre vendeve nuk ka thirrje dhe përkrahje politike për dhunën.
“Është fatkeqësi kombëtare shumë e madhe që forcat e policisë, të cilat janë për të mbrojtur shtetin, janë jo vetëm nën sulmin e gurëve, por edhe nën sulmin e ekraneve. Kjo është rrëqethëse”, shkruan Euronews Albania.
“Kjo po ndodh në Francë, Itali, Belgjikë, Portugali. Kjo do të ndodhë kudo, siç paralajmërohet, por në asnjë nga këto vende, asnjë parti politike nuk ka dalë të mbajë anën e dhunuesve, as të brohorasë për flakë mbi institucione, të himnizojë drurin, gurin dhe dhunën e disa kapuçëve të zinj, të maskuar, pas të cilëve nuk ka studentë, nuk ka të reja e të rinj që duan një Shqipëri më të mirë.
Ka vetëm qenie të verbëra, njerëz pa shkollë, që nuk dinë as nga vijnë, as ku shkojnë, viktima të shumëçkaje, të cilët adhurojnë molotovët, llastiqet me vida që godasin kafkat e policëve. Adhurojnë rrëmujën dhe kaosin, e pastaj u turren dyqaneve që përfaqësojnë djersën dhe gjakun e familjeve që jetojnë me të ardhurat e tyre”, u shpreh Rama.
Më tej, kryeministri ngriti pikëpyetje mbi përkrahjen që, sipas tij, u jepet këtyre grupeve, duke theksuar se shoqëria duhet të trajtojë edhe problematikat që qëndrojnë pas sjelljeve të tyre.
“Si mund të përkrahet e të adhurohet kjo masë, e cila ka nevojë për psikologë dhe që duhet trajtuar nga shoqëria si një masë njerëzore vajzash e djemsh që vijnë nga periferitë për të shkatërruar qendrën dhe që kanë brenda të gjitha keqkuptimet e mëdha të një kohe kur shohim në ekran se si disa të tjerë, që jetojnë me online-in dhe bëjnë nga dhjetëra euro në muaj pa paguar asnjë taksë, mund të hanë, të pinë dhe të jetojnë në luks, ndërsa këta pastaj përdoren nga forca të tjera, armiq të Shqipërisë”, tha Rama.








