Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për 35 të pandehurit për krime lufte në Prekaz nxjerr në pah një varg provash materiale dhe dëshmish që, sipas prokurorisë, tregojnë se sulmi i marsit 1998 ndaj lagjes Jasharaj nuk ishte një aksion i kryer vetëm nga formacione paramilitare, por një operacion i planifikuar, organizuar dhe koordinuar përmes strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Aktakuza e përshkruan operacionin e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz si një aksion të gjerë dhe të koordinuar, në të cilin morën pjesë struktura të ndryshme policore serbe, Njësia për Operacione Speciale, Njësitë Speciale Antiterroriste dhe, përmes përdorimit të artilerisë dhe makinerisë së rëndë, edhe forcat ushtarake.
Por, sipas aktakuzës, thelbi i provave nuk qëndron vetëm te fakti se këto njësi morën pjesë në sulm. Prokuroria pretendon se ka siguruar prova që tregojnë se kush e planifikoi operacionin, kush e organizoi, kush caktoi njësitë, kush miratoi përdorimin e armatimit, kush dha urdhra dhe kush pranoi raportet gjatë realizimit të sulmit.
Në këtë mënyrë, PSRK-ja e vendos operacionin në Prekaz brenda një zinxhiri komandues të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë.
Aktakuza thotë se në vitin 1998, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, përmes një Shtabi Ndërsektorial, kishte hartuar planin për sulmin ndaj lagjes Jasharaj në Prekaz të Poshtëm. Ky shtab, sipas prokurorisë, përbëhej nga përfaqësues të Departamentit të Sigurisë Publike dhe Departamentit të Sigurisë Shtetërore.

Në krye të këtij mekanizmi, sipas aktakuzës, ishte Jovica Stanišić, në atë kohë zëvendësministër i Punëve të Brendshme të Serbisë dhe shef i Departamentit të Sigurisë Shtetërore. Zëvendës i tij në Shtabin Ndërsektorial ishte Vlastimir Đorđević, i cili ishte zëvendësministër dhe shef i Departamentit të Sigurisë Publike.
Pra, sipas versionit të prokurorisë, në nivelin më të lartë të planifikimit nuk qëndronin paramilitarët, por zyrtarë të lartë të aparatit shtetëror serb.
Dokumentet nga Tribunali i Hagës
Një nga pjesët më të rëndësishme të aktakuzës janë provat e siguruara nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë – ICTY.
PSRK-ja i referohet, ndër të tjera, transkriptit të deklarimit të Vlastimir Đorđevićit në rastin e tij në Hagë. Sipas aktakuzës, në këtë deklarim vërtetohet se ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë kishte urdhëruar një veprim të koordinuar ndërmjet Departamentit për Siguri Publike dhe Departamentit për Siguri Shtetërore.
Prokuroria thotë se kjo provë është veçanërisht e rëndësishme sepse tregon edhe krijimin e Shtabit Ndërsektorial, anëtarët e të cilit ishin caktuar me vendim të ministrit.
Sipas aktakuzës, Stanišić ishte caktuar udhëheqës i këtij shtabi, ndërsa Đorđević zëvendës i tij.
Më tej, prokuroria pretendon se në bazë të këtij plani, Departamentit të Sigurisë Publike i ishte dhënë detyra e rrethimit të zonës së gjerë të veprimit, ndërsa Departamentit të Sigurisë Shtetërore i ishte caktuar sulmi ndaj objekteve ku ndodhej Adem Jashari dhe familjarët e tij.
Kjo, sipas PSRK-së, tregon një ndarje të qartë të detyrave brenda strukturave shtetërore.
Shtabi nuk ishte krijuar rastësisht – ekzistonte që nga viti 1997
Aktakuza shkon edhe më tej.
Sipas provave të propozuara nga prokuroria, në vitin 1997 Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë kishte themeluar Shtabin për Kosovën, me detyrë planifikimin, organizimin dhe koordinimin e njësive që merrnin pjesë në sulmet e planifikuara në Kosovë.
Prokuroria thotë se themelimi i këtij mekanizmi vërtetohet përmes një dokumenti të titulluar “Vendim për Themelimin e Shtabit për Kosovën”, të datës 11 qershor 1997.
Ky shtab, sipas aktakuzës, nuk ishte domosdoshmërisht funksional në mënyrë të përhershme, por aktivizohej kur planifikohej ndonjë operacion në Kosovë. Në rastin e Prekazit, sipas prokurorisë, ai u aktivizua për të drejtuar dhe koordinuar aksionin.
Në krye të shtabit gjatë operacionit në Prekaz ishte Sreten Lukić.
Roli i tij, sipas aktakuzës, nuk ishte simbolik. Ai ishte përgjegjës për koordinimin e njësive, miratimin e përdorimit të llojit të armatimit, dhënien e urdhrave, pranimin dhe dhënien e raporteve dhe mbikëqyrjen e realizimit të sulmit.
Dëshmia nga vetë zyrtarët serbë
Një tjetër provë që PSRK-ja e konsideron të rëndësishme është deklarata e Ljubinko Cvetić, e dhënë në Tribunalin e Hagës.
Sipas aktakuzës, nga transkriptet e deklarimeve të Cvetićit vërtetohet se brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte formuar Shtabi Ndërsektorial, i udhëhequr nga Jovica Stanišić dhe me Vlastimir Đorđevićin si zëvendës.
Por më e rëndësishmja, sipas prokurorisë, është se Cvetić ka deklaruar se pikërisht në këtë shtab ishte planifikuar dhe organizuar sulmi ndaj lagjes Jasharaj dhe ishte përcaktuar se cilat njësi do ta realizonin atë.
Prokuroria thotë se kjo dëshmi lidhet edhe me strukturën e shtabit, i cili përbëhej nga Departamenti i Sigurisë Publike dhe Departamenti i Sigurisë Shtetërore.
Pra, sipas PSRK-së, dokumentet zyrtare dhe dëshmitë nga proceset e Hagës nuk flasin thjesht për praninë e policisë serbe në Prekaz, por për një mekanizëm institucional që planifikonte dhe koordinonte operacionin.
Nga dokumentet në Hagë deri te vendimet e Ministrisë së Brendshme
Aktakuza përmend një numër dokumentesh të tjera të siguruara nga Tribunali i Hagës.
Njëri prej tyre është vendimi për caktimin e Vlastimir Đorđevićit në pozitën e shefit të Departamentit të Sigurisë Publike. Dokumenti ishte nxjerrë më 27 janar 1998 nga ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Vlajko Stojiljković.
Sipas PSRK-së, dokumenti vërteton se Đorđević ishte caktuar në këtë pozitë nga 1 shkurti 1998 – pra vetëm pak javë para sulmit në Prekaz.
Një tjetër dokument i përmendur në aktakuzë lidhet me Goran Radosavljevićin, i njohur si “Guri”. Sipas këtij dokumenti, ai ishte caktuar për detyra speciale sigurie në selinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Prishtinë nga 22 shkurti 1998.
Sipas prokurorisë, këto dokumente ndihmojnë në rindërtimin e zinxhirit të funksionarëve dhe komandantëve që ishin në pozita drejtuese në periudhën kur u krye sulmi.
Përgatitja e operacionit: Prekazi u mbikëqyr për javë të tëra
PSRK-ja pretendon se sulmi nuk ishte një aksion i improvizuar.
Sipas aktakuzës, që nga fillimi i janarit 1998 e deri pas fillimit të sulmit më 7 mars, lagjja Jasharaj ishte nën vëzhgim dhe kontroll të vazhdueshëm nga Njësia për Operacione Speciale.
Kjo njësi drejtohej nga Milorad Ulemek, i njohur si “Legia”, i cili, sipas aktakuzës, ishte i pranishëm në Prekaz dhe drejtonte veprimet e njësisë së tij.
Në përgatitjen dhe vëzhgimin e operacionit, sipas prokurorisë, kishte marrë pjesë edhe Njësia e Posaçme e Policisë, përkatësisht Kompania e Mitrovicës, e udhëhequr nga Čedomir Božović.
Forcat ishin vendosur në kompleksin e Fabrikës së Municionit në Skenderaj.
Nga aty, sipas aktakuzës, lagjja Jasharaj monitorohej fizikisht dhe përmes kamerave të vendosura në një rezervuar uji rreth 50 metra të lartë. Kamerat, sipas dokumentit, regjistronin lagjen 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, duke mundësuar monitorimin e lëvizjeve të banorëve.
Kjo pjesë e aktakuzës është një nga elementet që prokuroria e përdor për të argumentuar se operacioni ishte rezultat i një përgatitjeje sistematike.
Më 3 dhe 4 mars u soll armatimi i rëndë
Sipas aktakuzës, më 3 mars 1998 kishte filluar përforcimi i kapaciteteve njerëzore për realizimin e sulmit.
Në Fabrikën e Municionit në Skenderaj, sipas dokumentit, u dislokuan mjete dhe armatim i rëndë: automjete të blinduara, tanke, minahedhës, armë kundërajrore dhe mjete të tjera luftarake.
Përforcimi vazhdoi edhe gjatë mbrëmjes së 4 marsit, kur në fabrikë u sollën mjete të tjera luftarake, përfshirë autoblinda, mjete të kalibrave të ndryshëm dhe dy tanke të transportuara nga Mitrovica.
Pra, sipas prokurorisë, një natë para sulmit ishte krijuar një koncentrim i konsiderueshëm forcash dhe armatimi në zonën e Skenderajt.
Më 4 mars formohet shtabi për sulmin
Një ditë para sulmit, sipas aktakuzës, në objektin e quajtur “Villa”, brenda kompleksit të Fabrikës së Municionit, u formua shtabi për realizimin e sulmit.
Ky shtab drejtohej dhe koordinohej nga Goran Radosavljević “Guri”.
Në të ishin edhe komandantë të njësive speciale antiterroriste dhe drejtues të tjerë policorë.
Sipas aktakuzës, në këtë shtab u përcaktuan detyrat konkrete për secilën njësi.
Njësisë për Operacione Speciale nën komandën e “Legias” iu caktua sulmi ndaj shtëpive të familjes së Shaban Jasharit.
Njësisë Speciale Antiterroriste nga Novi Sadi iu caktua pozicioni i njohur si “Bunkeri”.
Ndërkohë, njësive speciale nga Beogradi dhe Prishtina iu caktua pjesa tjetër e lagjes.
Në terren dhe në shtab funksiononin komandantë të ndryshëm, ndërsa sipas aktakuzës urdhrat dhe koordinimi bëheshin përmes këtij mekanizmi.
“Rreth i hekurt” rreth Prekazit
Një tjetër element i rëndësishëm i aktakuzës është mënyra se si ishte organizuar rrethimi.
Sipas prokurorisë, njësitë e ndryshme të Policisë Speciale kishin formuar atë që aktakuza e quan “rrethin e hekurt”, me qëllim që të pamundësoheshin hyrjet dhe daljet nga Prekazi i Poshtëm dhe lagjja Jasharaj.
Njësitë njëkohësisht do të sulmonin nga pozicionet ku ishin vendosur.
Kjo, sipas versionit të prokurorisë, tregon se operacioni kishte dy elemente të koordinuara: izolimin e zonës dhe sulmin e brendshëm.
Sulmi nisi pa paralajmërim
Më 5 mars 1998, rreth orës 6 të mëngjesit, sipas aktakuzës, forcat policore serbe nisën sulmin pa paralajmërim paraprak.
Sulmi filloi nga drejtimi i Fabrikës së Municionit dhe më pas nga pozicionet e tjera ku ishin vendosur forcat.
Prokuroria pretendon se u përdor armatim i kalibrit të rëndë, përfshirë artileri, mjete të blinduara dhe tanke, kundër lagjes Jasharaj dhe objekteve civile.
Sipas aktakuzës, vetëm pas fillimit të sulmit një numër i kufizuar pjesëtarësh të UÇK-së, të armatosur me armë të lehta, kishin bërë rezistencë.
Megjithatë, prokuroria pretendon se forcat serbe vazhduan sulmin në një zonë ku kishte një numër të madh civilësh dhe nuk bënë dallimin ndërmjet objektivave ushtarake dhe objekteve civile.
Gra, fëmijë dhe të moshuar në mesin e viktimave
PSRK-ja pretendon se si pasojë e sulmit u vranë civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, ndërsa shumë të tjerë u morën peng, u maltretuan dhe u torturuan.
Në ditën e parë të sulmit, sipas aktakuzës, u godit edhe shtëpia e Halit Jasharit.
Prokuroria thotë se aty u vranë civilët Blerim Jashari, 5-vjeçar, Bujar Jashari, 10-vjeçar, Avdullah Jashari, 15-vjeçar, Hanife Jashari, 17-vjeçare, si dhe Bahtije, Sabrije, Elheme dhe Mihrije Jashari.
Të nesërmen, sipas aktakuzës, sulmet vazhduan ndaj shtëpive të Sadik dhe Qerim Jasharit.
Prokuroria pretendon se nga granatimet u vranë Afie Jashari, Elfie Jashari dhe Fatime Jashari, trupat e të cilave, sipas dokumentit, vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Në shtëpinë e Qerim Jasharit, sipas aktakuzës, u vra Hajrije Jashari.
Tanket kundër dhomës ku ishin strehuar fëmijët
Një nga pjesët më të rënda të aktakuzës lidhet me sulmin e 7 marsit ndaj shtëpive të Shaban Jasharit.
Sipas prokurorisë, njësitë speciale policore serbe, të mbështetura nga mjetet e rënda luftarake, përfshirë tanket, kishin goditur me predha dhomën ku ishin strehuar anëtarë të familjes Jashari.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit janë:
Jovica Stanišić, Vlastimir Đorđević, Sreten Lukić, Goran Radosavljević, Milorad Ulemek, Živko Trajković, Zoran Simović, Spasoje Vulević, Branko Čurčić, Želimir Mrdalj, Radislav Stalević, Vlado Todorović, Branko Prljević, Radoslav Mitrović, Milivoje Stojilković, Srđan Ilić, Nenad Stojković, Božidar Filić, Žarko Braković, Čedomir Božović, Žarko Rokvić, Dušan Ivanović, Staleta Mojsilović, Vučina Janičijević, Milan Lečić, Radomir Čolić, Srđan Perović, Nenad Milačić, Veljko Radenović, Dragan Živanović, Obrad Stevanović, Branko Đurić, Ljubinko Cvetić, Ilija Trajković dhe Milenko Božović.








