Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Adelina Thaçi Meta, ka kritikuar qëndrimet e fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës karshi zhvillimeve politike në vend.
Thaçi-Meta me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ tha se në Kuvend po ndodhin, siç u shpreh ajo, çudira. Kësisoj, ish-deputetja tha në mënyrë indirekte se LDK’ja mund të shkojë aty ku nuk dëshirojnë votuesit e saj.
“Nëse nuk kthjelleni, nëse nuk tregoni se dini të merrni vendime, të jeni konsistentë në atë që mendoni se është e drejtë, të këmbëngulni kur duhet dhe të lini anash inatet personale e pazaret e vogla; nëse nuk i afroni njerëzit dhe nuk e kuptoni se askush nuk fiton duke i larguar njerëzit e vet, atëherë do të shkoni aty ku nuk dëshiron askush që ju ka besuar”, ka deklaruar ajo.
Më pas, ajo i ka uruar punë të mbarë presidentes së re, Justina Shiroka Pulës.
Në fund, ajo ka bërë thirrje që të “kthjellohet” LDK-ja.
“Ky popull është lodhur. Jemi lodhur të gjithë. Tani na duhet qetësi, përgjegjësi dhe punë. Partia ime, Zoti të ndihmoftë. Por mbi të gjitha, kthjellohu”, përfundon postimin ish-deputetja e LDK’së.








