Pa rroba e me shenja në krejt trupin, misteri i vdekjes së 22-vjeçares Kosovare Kurtaj

Bedrije Kurtaj vazhdon të kërkojë zbardhjen e vdekjes së vajzës së saj 22-vjeçare, ndërsa dokumentet mjeko-ligjore dhe dallimet në shkallën e lëndimeve të viktimës dhe shoferit ngrenë pikëpyetje për rrethanat e ngjarjes.

Bedrije Kurtaj, nëna e 22-vjeçares Kosovare Kurtaj, e cila humbi jetën në vitin 2010 në rrethana të cilësuara si aksident trafiku, edhe pas 16 vjetësh vazhdon të kërkojë zbardhjen e plotë të vdekjes së vajzës së saj.

Ajo ngre dyshime për rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja dhe pretendon se institucionet e drejtësisë nuk kanë ndërmarrë hetime të mjaftueshme për të zbuluar të vërtetën.

Sipas saj, dyshimet e para për mënyrën se si kishte vdekur e bija lindën pasi nuk iu lejua ta shihte trupin e saj. Dyshimet, siç tregon ajo, u shtuan edhe më shumë pas disa telefonatave që kishte pranuar pas vdekjes së vajzës.

Bedrije Kurtaj thotë se tash e një kohë të gjatë nuk ka kontakte as me personat që mund të kenë njohuri për rastin, përfshirë dëshmitarin kryesor dhe ish-bashkëjetuesin e të bijës.

Një nga shqetësimet kryesore të familjes mbetet mungesa e hetimeve të plota, të cilat, sipas tyre, do të duhej të sqaronin të gjitha rrethanat e vdekjes së 22-vjeçares.

Ndërkohë, dokumentet e siguruara nga Kiks Kosova hedhin dritë mbi disa detaje nga raportet mjeko-ligjore të përgatitura pas ngjarjes.

Në raportin e autopsisë, të datës 6 dhjetor 2010, dy ditë pas vdekjes, thuhet se Kosovare Kurtaj në momentin e vdekjes kishte qenë pa rroba.

Bazuar në fotografitë dhe dokumentacionin e autopsisë, në trupin e saj ishin evidentuar lëndime të shumta, duke filluar nga gërvishtjet në këmbë e deri te dëmtimet në vesh. Megjithatë, përfundimi i mjekut ligjor ishte se këto lëndime ishin shkaktuar si pasojë e një aksidenti trafiku.

Pesë vjet pas varrimit, me insistimin e familjes, trupi i 22-vjeçares ishte zhvarrosur për t’iu nënshtruar një autopsie të dytë, me qëllim të sqarimit të rrethanave të vdekjes.

Në raportin e dytë, duke u mbështetur edhe në të dhënat e raportit emergjent të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për Kosovaren ishte konstatuar shkalla 3 e komës sipas shkallës së Glazgout (GCS), që nënkupton mungesë të reagimit.

Në anën tjetër, gjendja e shoferit të automjetit paraqitej ndryshe. Tek ai ishin evidentuar vetëm mavijosje në kraharor, në pjesën e poshtme të shpinës dhe në zonën e belit, si dhe një plagë e vogël në veshin e djathtë.

Shkalla e tij e Glazgout ishte 15 pikë, që tregon gjendje të plotë të vetëdijes në momentin e ekzaminimit.

Ky dallim në shkallën e lëndimeve mes pasagjeres dhe shoferit ka ngritur pikëpyetje të tjera lidhur me rrethanat e ngjarjes, veçanërisht për mënyrën se si Kosovare Kurtaj kishte përfunduar jashtë automjetit.

Sipas një opinioni të përbashkët të pesë mjekëve ligjorë, lëndimet e saj ishin shkaktuar nga kalimi i rrotës së automjetit mbi kokën e viktimës.

Për këtë rast ka folur edhe avokati Ramë Dreshaj, i cili është marrë me çështjen e Kosovës Kurtaj. Ai pretendon se ka konsultuar privatisht disa ekspertë të huaj, të cilët, sipas tij, pas shqyrtimit të provave kanë vlerësuar se rasti nuk paraqet një aksident të zakonshëm trafiku.

Dreshaj thotë se posedon edhe deklaratën e një dëshmitari të ngjarjes, i cili ka përfituar azil në Francë, me arsyetimin se nuk mund të jetonte në Kosovë pas asaj që kishte ndodhur.

Edhe pas 16 vjetësh, familja Kurtaj vazhdon të kërkojë përgjigje për vdekjen e vajzës, ndërsa rrethanat e ngjarjes dhe pretendimet për mungesë të hetimeve të plota mbeten çështje që kërkojnë sqarim nga institucionet përgjegjëse.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit