Nga rastet e para si i mitur, te vjedhjet, arratisja nga burgu dhe rasti i rëndë i vitit 2018 ndaj një vajze të mitur, deri te plagosja me armë zjarri më 7 gusht 2026 – Vezir Haziraj është rikthyer sërish në kërkim të Policisë së Kosovës.
Vezir Haziraj, i lindur më 21 shtator 1997, është shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës për një rast të ndodhur më 7 gusht 2026 në fshatin Orroberdë të Istogut.

Ai dyshohet se ka plagosur me armë zjarri një person dhe po kërkohet për veprën penale “vrasje në tentativë”.
Policia e Kosovës e ka cilësuar Hazirajn si person të armatosur dhe ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin e tij, duke apeluar që askush të mos tentojë ta ndalojë vetë nëse e vëren.
Por, kërkimi tregon se kjo nuk është përplasja e parë e Hazirajt me organet e rendit.
Historia e tij me drejtësinë nis shumë më herët – që kur ishte adoleshent.
16 vjeç – rastet e para me policinë
Nga kërkimet e Insajderit shihet se Haziraj ishte i njohur për organet e rendit që në moshë të mitur.
Vetëm si i mitur, ai figuron në pesë raste si i dyshuar për vjedhje. Problemet me ligjin do të vazhdonin edhe pasi ai kaloi moshën e adoleshencës.
Nga viti 2016, ndaj tij janë zhvilluar procedura për raste të vjedhjes, përfshirë vjedhje të rëndë.
Në një rast tjetër ai ishte dënuar me kusht për vjedhje të rëndë, ndërsa më pas kishte marrë edhe një dënim me kusht për veprën penale “lëndim i lehtë trupor”.
Një tjetër kapitull në historinë e tij penale ishte arratisja nga burgu, për të cilën ishte dënuar me katër muaj burgim.
Të dhënat e publikuara më herët nga gjykatat tregonin se ndaj tij kishte edhe lëndë të tjera për vjedhje të rënda, përfshirë raste të kryera në bashkëkryerje.
2018 – rasti i vajzës së mitur
Në qershor të vitit 2018, emri i Vezir Hazirajt u bë i njohur gjerësisht për publikun. Më 21 qershor, në fshatin Orroberdë të Istogut, një vajzë 17-vjeçare u sulmua me thikë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, Haziraj dyshohej se kishte sulmuar të miturën M.M., me të cilën më herët kishte pasur lidhje. Sipas Prokurorisë, pas ndarjes, vajza kishte kërkuar që fotografitë dhe videot e saj personale të hiqeshin nga rrjetet sociale. Ata më pas ishin takuar në Orroberdë, ku kishte ndodhur sulmi.
Vajza kishte marrë plagë të shumta dhe ishte dërguar në QKUK në gjendje të rëndë, ku për disa ditë kishte qëndruar në koma. Për këtë rast, Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur aktakuzë ndaj Hazirajt për veprën penale “vrasje e rëndë e mbetur në tentativë”.
Pas sulmit, Haziraj qëndroi për disa javë në arrati. Gjatë kësaj kohe ishte aktiv në Facebook dhe Instagram, ku në disa publikime shfaqej duke provokuar organet e rendit.

Në njërën prej pamjeve, ai shihej i ulur mbi një veturë të Policisë së Kosovës, duke ngritur gishtin e mesit.

Më 7 korrik 2018, ai u arrestua nga Policia e Kosovës.
Nga kërkimet e Insajderit shihet se rasti i vitit 2018 nuk ishte i vetmi përballim i Hazirajt me drejtësinë.
Në dokumentet për të përmenden edhe raste të tjera, përfshirë vjedhje, vjedhje të rëndë dhe arratisje nga burgu, ndërsa në vitin 2019, Gjykata Themelore në Pejë kishte bërë të ditur se ndaj tij kishte lëndë të përfunduara dhe të tjera ende në procedurë.
Nëse në vitin 2018 Facebook-u dhe Instagrami ishin platformat ku ai shfaqej publikisht gjatë arratisjes, sot është TikToku. Nga arratia pas rastit të 7 gushtit 2026, Haziraj ka publikuar video në këtë platformë, ku ka folur për rastin dhe ka dhënë versionin e tij për ngjarjen.
2022 – edhe një rast brenda burgut
Në janar të vitit 2022, emri i Hazirajt u shfaq sërish në një rast të raportuar nga Policia e Kosovës.
Derisa ishte i burgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës, ndaj tij nisi procedurë për “kanosje”.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës të asaj kohe, një oficer korrektues kishte raportuar se një i burgosur kishte kontaktuar përmes telefonit një ish-të burgosur tjetër dhe i kishte kërkuar që ta sulmonte, kanoste apo vriste zyrtarin.
Në raportimet e publikuara për rastin, i burgosuri ishte identifikuar si Vezir Haziraj.
7 gusht 2026 – rasti i ri në Orroberdë
Tetë vjet pas rastit të vajzës së mitur, emri i Vezir Hazirajt u rikthye sërish në Orroberdë të Istogut. Por këtë herë bëhet fjalë për një ngjarje krejtësisht tjetër.
Më 7 gusht 2026, një person u plagos me armë zjarri në fshat.
Policia e Kosovës e identifikoi Vezir Hazirajn si të dyshuar dhe e shpalli në kërkim për veprën penale “vrasje në tentativë”.
Sipas Policisë, Haziraj konsiderohet person i armatosur.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion për vendndodhjen e tij ta njoftojnë menjëherë, ndërsa ka apeluar që qytetarët të mos ndërhyjnë vetë.
Kështu, Orroberda shfaqet për herë të dytë në historinë e tij me drejtësinë, por për dy ngjarje të ndryshme dhe të ndara në kohë: rasti i vitit 2018 ndaj vajzës së mitur dhe rasti i 7 gushtit 2026, për të cilin ai tashmë po kërkohet nën dyshimin për vrasje në tentativë.
Ndërsa policia po e kërkonte, Haziraj nuk qëndroi i heshtur. Përmes videove të publikuara në TikTok, ai u shfaq nga arratia dhe foli për rastin.
Në njërën prej videove, Haziraj pretendoi se personin e kishte plagosur “për vetëmbrojtje”.

Ai deklaroi gjithashtu se nuk do të dorëzohej, duke pretenduar se nuk kishte besim në drejtësi.
Por publikimet nuk u ndalën këtu.
Pak orë pasi Policia e Kosovës kërkoi publikisht ndihmën e qytetarëve për kapjen e tij, Haziraj publikoi një video ku shfaqej i armatosur.

Në një tjetër video ai shfaqej duke qarë dhe duke kërkuar “hallallin” nga njerëzit e tij.

“Videoja e fundit që po e postoj…”, dëgjohet duke thënë ai në video.
Më 9 gusht, Haziraj u shfaq sërish në rrjetet sociale. Këtë herë, ai dukej se ishte në një zonë malore. Në video ai bëri deklarata kërcënuese ndaj shtetit dhe kërkoi që të lihej i lirë.
Ndërkohë, kërkimet e Policisë së Kosovës për të vazhdojnë.
Nga 16-vjeçar në kërkim
Historia e Vezir Hazirajt me organet e rendit nis kur ai ishte ende i mitur. Pesë raste të dyshuara për vjedhje si i mitur.
Më pas, lëndë për vjedhje të rënda, dënime me kusht, lëndim të lehtë trupor dhe një dënim për arratisje nga burgu.
Në vitin 2018, rasti i rëndë ndaj një vajze të mitur, për të cilin Prokuroria ngriti aktakuzë për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë.
Në vitin 2022, një tjetër rast i raportuar nga organet e rendit, këtë herë brenda burgut.
Dhe tani, në gushtin e vitit 2026, një tjetër rast i rëndë: një person i plagosur me armë zjarri në Orroberdë të Istogut dhe Haziraj i shpallur në kërkim për “vrasje në tentativë”.
Nga kërkimet e Insajderit shihet se për më shumë se një dekadë, Vezir Haziraj ka pasur përplasje të vazhdueshme me organet e rendit. Deri në vitin 2019, emri i tij ishte evidentuar 73 herë në raportet e Policisë së Kosovës, në raste të ndryshme penale dhe incidente.
Tani në moshën 28-vjeçare, Haziraj vazhdon të jetë në arrati, ndërsa policia kërkon lokalizimin e tij.








