Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka deklaruar se partia e saj është rikthyer në tryezën e bisedimeve me Lëvizjen Vetëvendosje (VV), duke vendosur një kauzë më të madhe mbi interesat partiake.
Në emisionin “Shoqet”, të transmetuar mbrëmë, Musliu ka theksuar se PDK-ja nuk ka pasur kërkesa për poste politike apo për pjesëmarrje në qeveri, por vetëm një kërkesë që ajo e ka cilësuar si thelbësore: procedimin e ligjit për Specialen.
“Partia Demokratike e Kosovës ka dalë mbi interesat partiake, për shkak të një kauze shumë më të madhe se PDK-ja dhe secila parti tjetër në Kosovë, dhe jemi kthyer në tryezën e bisedimeve”, ka deklaruar Musliu.
Ajo ka shtuar se partia e saj nuk ka kërkuar që dikush të bëhet president dhe as të jetë pjesë e qeverisë, duke theksuar se kërkesa e vetme ka qenë procedimi i ligjit.
Musliu ka folur edhe për presidenten Justina Shiroka-Pula, së cilës ia ka uruar mandatin, duke shprehur besim të plotë në vendimmarrjen e saj.
Deputetja e PDK-së ka treguar se Shiroka-Pulën e njeh prej 17 vitesh, që nga koha kur ajo ushtronte detyrën e ministres, ndërsa Musliu ishte kandidate për asamble komunale.
Duke e cilësuar presidenten si intelektuale dhe vendimmarrëse, Musliu ka thënë se beson që ajo e ka marrë mandatin me vetëdije të plotë dhe se nuk do të lejojë që interesat apo kalkulimet politike të ndikojnë në integritetin e saj.
“Duke e njohur si një intelektuale, vendimmarrëse, unë e kam besim të plotë në vendimet e Justina Shiroka-Pulës, dhe jam shumë e vetëdijshme për rolin e këshilltarëve, por besoj fort që Justina Pula e ka marrë me vetëdije të plotë këtë mandat, dhe jam shumë e bindur që për asnjë çmim e kalkulim, Justina Shiroka-Pula nuk ka me ia marrë fytyrën as vetes, as familjes, as shtetit”, ka deklaruar deputetja.








