Togeri Ismet Hashani nga rajoni i Gjilanit, ka folur për tri vrasjet që tronditën komunën e Gjilanit gjatë tri ditëve të fundit.
Sa i përket vrasjes së një 29-vjeçari në Pogragjë të Gjilanit, sipas Hashanit, i dyshuari kryesor është babai i viktimës.
“I cili është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është në kërkim policor”, u shpreh ai.
Hashani bëri të ditur se policia po punon intensivisht për kapjen e të dyshuarit.
“Ne kemi hulumtuar, dhe nga gjetjet që kemi pa aty, nuk kemi parë asnjë rast që personi i dyshimtë, ka pasur të lajmëruar apo ndaj tij ka pasur ndonjë ankesë për dhunë në familje. Megjithatë hetimet do të tregojnë të vërtetën për këtë rast të rëndë”, tha ai.
Ndërkaq, lidhur me rastin në Livoç të Ulët, Hashani tha se policia po punon për zbardhjen e të gjitha detajeve. Në këtë rast, jetën e humbën vëlla e motër.








