Lidhja Demokratike e Kosovës do të mblidhet sot pas marrëveshjes që arriti kryetari i kësaj partie Lumir Abdixhiku dhe kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti që Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për President të vendit.
Abdixhiku do ta mbajë fillimisht një mbledhje me kryesinë e partisë duke nisur nga ora 14:00, e më pas me grupin parlamentar nga ora 16:00
Kreu i LDK-së tha dje se me LVV-në bënë një “punë të mirë dhe të mbarë” për vendin, duke u dakorduar që Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president.
Abdixhiku kërkoi që tani “pa vonesa” të konstituuohet kuvendi, të zgjidhet qeveria e re dhe të zgjidhet Bekim Sejdiu president.
“Andaj, pa vonesa, le të konstituojmë Kuvendin e Kosovës, le të zgjidhet Qeveria e Kosovës dhe le të zgjedhim presidentin e ardhshëm të republikës së Kosovës, prof. dr. Bekim Sejdiun”, tha ai në një konferencë të përbashkët për media me Kurtin, ku ishte i pranishëm edhe Sejdiu.








