Daut Haradinaj, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se frika nga protestuesit ishte arsyeja e vetme që deputetët miratuan ligjin për Dhomat e Specializuara, natën e 6 tetorit.
Sipas tij, kryeministri Albin Kurti dhe deputetët ishin plotësisht të vetëdijshëm se mosmiratimi i ligjit mund të shkaktonte gjakderdhje.
Haradinaj ka pretenduar se situata ishte jashtëzakonisht e tensionuar dhe se asnjë deputet nuk do të mund të largohej nga Kuvendi pa miratimin e ligjit.
“Zoti Kurti ka votuar prej tutës, është frikacak”, ka deklaruar Haradinaj.
“Nuk ka pasur asnjë shans një deputet me dalë prej parlamentit atë natë pa e kryer këtë punë”, ka shtuar ai.
I pyetur nëse protestuesit do ta pengonin largimin e deputetëve, Haradinaj ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë.
“Pa gjakderdhje kush s’ish dalë”, ka deklaruar ai, duke këmbëngulur se paralajmërimi i tij nuk ishte një kërcënim i rastësishëm.
“Edhe këta me përgjegjësi të madhe po e them. Nuk kemi qenë tu bë hajgare”, është shprehur ish-deputeti.
Sipas Haradinajt, pasojat e mundshme të asaj nate ishin të njohura për drejtuesit më të lartë të institucioneve.
„Zoti Kurti ka votuar prej tutës, është frikacak“
“E kanë ditur me detaje”, ka thënë ai, duke përmendur deputetët, kryeministrin dhe ministrat.
Deklaratat e tij marrin peshë të veçantë edhe për shkak të pretendimeve mbi armatosjen e pjesëmarrësve në protestë.
Haradinaj ka pohuar se shumë protestues kishin mjete shpërthyese me vete, ndërsa policia ishte mobilizuar nga pjesë të ndryshme të Kosovës.
“Shumë kanë qenë të armatos”, ka deklaruar ai, duke pretenduar se kishte parë personalisht protestues që mbanin bomba.
Ai ka theksuar se ishte përpjekur ta mbante situatën nën kontroll dhe të parandalonte përshkallëzimin e dhunës.
Megjithatë, Haradinaj ka kritikuar edhe veprimet e policisë, duke thënë se ajo nuk duhej të përdorej kundër qytetarëve të mbledhur në protestë.
Në vlerësimin e tij, votimi i ligjit ishte ndërlidhur edhe me marrëveshjet politike për zgjedhjen e presidentit.
“Unë e kam pasur një bindje që ky ligj është ligj koti”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka pretenduar se ligji mund të ishte përdorur për pazare politike, ndërsa ka vënë në dyshim gatishmërinë e institucioneve për veprime konkrete.
Haradinaj ka kërkuar ndarje buxhetore, angazhim diplomatik dhe përfshirjen e ekspertëve ndërkombëtarë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.








