Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reaguar ndaj ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke paralajmëruar se do ta padisë për shpifje lidhur me pretendimet se gjatë kohës sa ishte ministër i kishte dhënë tender një kompanie serbe.
Lekaj ka mohuar këto pretendime, duke thënë se dokumenti i përmendur nga Rizvanolli daton para se ai ta merrte detyrën e ministrit.
Sipas tij, Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj ishte votuar më 9 shtator 2017, ndërsa ai zyrtarisht kishte marrë detyrën e ministrit më 11 shtator të atij viti.
“Prandaj, deklaratat dhe akuzat tuaja ndaj meje, se kinse kam dhënë tender një kompanie serbe, janë të pavërteta dhe cenojnë rëndë reputacionin tim”, ka shkruar Lekaj.
Ai ka bërë të ditur se për këto deklarata do t’u drejtohet organeve të drejtësisë dhe do të kërkojë përgjegjësi ligjore për shpifje.
Lekaj e ka cilësuar këtë si një “fushatë të orkestruar” me prapavijë politike, duke thënë se faktet dhe dokumentet, sipas tij, do ta dëshmojnë të vërtetën.
“Regjimit Kurti po i vjen fundi. E vërteta nuk mbulohet me propagandë!”, ka deklaruar Lekaj.








