“Le të ecë Lumezi, që të kthehet Elezi” ishte një nga deklaratat që Albin Kurti e përsëriste gjatë kohës kur ishte në opozitë.
Në vitin 2019, atëherë lideri i Vetëvendosjes premtonte se me ardhjen në pushtet do ta kthente në Kosovë ish-prokurorin Elez Blakaj, i cili ishte larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi kishte raportuar se ishte përballur me kërcënime.
Kurti nuk ishte mjaftuar vetëm me premtimin për kthimin e tij. Ai kishte paralajmëruar se Blakaj do të emërohej në krye të Prokurorisë së Shtetit, duke pretenduar se në qeverisjen e tij askush nuk do të kishte guxim ta kërcënonte ish-prokurorin.
Megjithatë, vite pas këtyre deklaratave, Blakaj vazhdon jetën dhe karrierën profesionale në SHBA, larg sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Ish-prokurori tashmë merret me shitjen dhe dhënien me qira të pronave të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara. Ai ushtron këtë veprimtari në kuadër të kompanisë “JB Goodwin Realtors”, ku prezantohet me emrin profesional “Eli Z”.
Në profilin e tij në ueb-faqen e kompanisë, Blakaj ka përfshirë edhe një përshkrim të rrugëtimit të tij profesional, duke iu referuar përvojës së mëparshme në institucionet publike dhe në fushën e sundimit të ligjit.
Ai bën të ditur se ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik, ndërsa ka vazhduar shkollimin në Shtetet e Bashkuara, ku ka marrë gradën master në Drejtësi Penale në Universitetin Wake Forest, në Karolinën e Veriut.
“Kam përfunduar Fakultetin Juridik dhe kam marrë gradën master në Drejtësinë Penale në Universitetin Wake Forest, në Karolinën e Veriut, SHBA. Pasionet e mia në jetë janë arti dhe sporti!”, thuhet në biografinë e tij të publikuar në faqen e kompanisë.
Blakaj ishte larguar nga Kosova pas punës së tij si prokuror, ndërsa rasti i tij ishte shndërruar në një nga temat kryesore të debatit politik në vend, veçanërisht për shkak të premtimeve që Kurti kishte bërë për kthimin dhe avancimin e tij në sistemin e drejtësisë.
Profili i tij profesional në SHBA: JB Goodwin Realtors.










