Blerim Vela, ish-shef i stafit të Vjosa Osmanit sa ishte presidente e vendit, ka publikuar disa të dhëna që, sipas tij, janë pjesë e një sondazhi të realizuar së fundmi.
Sipas shifrave të publikuara nga Vela, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë dallime të vogla në përqindje.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë një diferencë prej vetëm një për qind, me të dyja partitë që, sipas këtyre të dhënave, mbeten nën pragun e 10 për qindëshit.
“Sipas një sondazhi të kryer në 30 ditët e fundit, konfigurimi politik i Kosovës po pëson lëvizje graduale, e cila mund të hapë rrugë për lindjen e një force të re politike. LVV dhe PDK nuk kanë ndryshim të madh në %, ndërsa LDK e AAK ndahen vetëm me 1 % (të dyjat nën 10%)”, ka shkruar Vela.
Sipas tij, kjo lëvizje e hap rrugën për një parti të re në vend.
“Në këtë kontekst, mund të paraqitet hapësirë për themelimin e një partie të re me orientim të djathtë, e aftë të artikulojë ofertë politike që i përgjigjet si ndjeshmërive të votuesve të ri, ashtu edhe atyre të zonave urbane/rurale, që ndihen të papërfaqësuar nga partitë aktuale”, ka shkruar ai.








