Kryesia e LDK-së miraton marrëveshjen politike me VV-në, del me një thirrje edhe për deputetët e kësaj partie

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka njoftuar se ka miratuar unanimisht marrëveshjen politike për tejkalimin e krizës institucionale dhe përmbylljen e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.

LDK-ja ka bërë të ditur se Kryesia e partisë ka mbështetur nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës së Kosovës.

“Kryesia, me unanimitet të plotë, miratoi marrëveshjen e arritur nga ekipi negociues i LDK-së; dhe kështu mbështeti nominimin e profesor Bekim Sejdiut për President të Republikës”, thuhet në deklaratë.


Sipas LDK-së, vendimi është marrë në përputhje me mandatin e dhënë nga Kuvendi i partisë dhe procedurat e saj vendimmarrëse.

“Ky vendim përfaqëson qëndrimin zyrtar dhe institucional të Lidhjes Demokratike të Kosovës”.

Partia ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së Presidentit nuk lidhet vetëm me një kandidat, por mbi të gjitha me stabilitetin institucional dhe shmangien e një krize të re politike.


“Për LDK-në, ky proces nuk lidhet vetëm me zgjedhjen e një individi. Ai lidhet, para së gjithash, me ruajtjen e institucioneve të Republikës, shmangien e një krize të re politike dhe krijimin e kushteve për funksionim të qëndrueshëm institucional”, thuhet në deklaratë.

Sa i përket kandidaturës së Sejdiut, LDK-ja e ka cilësuar atë si një personalitet me integritet, përgatitje profesionale dhe përvojë institucionale.


“Profesor Bekim Sejdiu i përmbush këto kritere. Si jurist, profesor universitar, diplomat dhe ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, ai ka ndërtuar një karrierë të gjatë në shërbim të institucioneve të Kosovës”, thuhet më tej.

LDK-ja vlerëson se përvoja e tij në fushën kushtetuese dhe diplomaci e bën të përshtatshëm për postin e Presidentit.


Kryesia e LDK-së u ka bërë gjithashtu thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të kësaj partie që ta mbështesin vendimin e organeve të partisë gjatë procesit të votimit.

“Kryesia u bën thirrje deputetëve të Grupit Parlamentar të LDK-së që, gjatë procesit të votimit, të veprojnë në përputhje me autorizimet e Kuvendit të partisë, vendimin e Kryesisë dhe përgjegjësinë që mbajnë si përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në fund të deklaratës.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit