Krytari i PDK-së, Memli Krasniqi ka qenë për vizitë tek ish-presidenti Hashim Thaçi në Hagë.
Ai tha se Thaçi, si gjithmonë i qetë dhe i palëkundur, e di se e vërteta nuk mund të burgoset përgjithmonë.
“Sot, një tjetër vizitë në Hagë – në një vend që për Hashim Thaçin dhe çlirimtarët tanë është një betejë e re. Një front ku liria tash e pesë vjet po mbrohet ndryshe – me qëndresë dhe dinjitet. Presidenti Thaçi, si gjithmonë, i qetë dhe i palëkundur. E di se e vërteta nuk mund të burgoset përgjithmonë. Me të njëjtën energji dhe optimizëm, foli për Kosovën, për rrugën tonë dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë – e cila gjithmonë kërkon sakrificë dhe angazhim të pandalshëm”.
Tutje, Krasniqi tregon se ish-presidenti nuk e pati asnjë ankesë, por ishte me besim se drejtësia sado e vonuar, do të triumfojë.
“Asnjë ankesë, asnjë shenjë hidhërimi – edhe pse padrejtësisht i mohohet e drejta për të parë babanë e tij të sëmurë. Vetëm një besim i palëkundur se drejtësia, sado e vonuar, do të triumfojë. Dhe kur nata të kalojë e hija e padrejtësisë të shembet – me dritën e së vërtetës dhe të lirisë – Dielli do të lindë përsëri!”, thotë Krasniqi.








