Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Kërvasari të Malishevës, ku një 25-vjeçare Jetlira Foniqi ka mbetur e vrarë nga arma e zjarrit, ndërsa bashkëshorti i saj 26-vjeçar po lufton me jetën në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Sipas njoftimit zyrtar nga QKUK, dy personat janë dërguar në Qendrën Emergjente rreth orës 00:15 të ditës së sotme.
Mjekët kanë konfirmuar se 25-vjeçarja ka arritur pa shenja jete me plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit, ndërsa vdekja e saj bëhet edhe më tragjike pasi viktima ishte shtatzënë.
Stafi emergjent bëri të ditur se 26-vjeçari po merr trajtimin e nevojshëm intensiv, por gjendja e tij shëndetësore vazhdon të jetë shumë e rëndë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur brenda njërës prej dhomave të gjumit në shtëpinë e çiftit bashkëshortor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet policore dhe prokurori i shtetit.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, me të cilën dyshohet se është kryer akti.
Me vendim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë”, ndërsa hetuesit policorë po punojnë intensivisht për të sqaruar motivet dhe rrethanat e sakta se si ka ndodhur kjo tragjedi. QKUK ka konfirmuar se po bashkëpunon ngushtë me organet e rendit për procedurat e mëtutjeshme ligjore.








