Aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut në Serbi, Natasha Kandiq, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si një pjesë e mediave serbe po raportojnë për periudhën e bombardimeve të NATO-s, duke rikujtuar krimet e rënda dhe varrezat masive të shqiptarëve në Serbi.
Përmes një reagimi në platformën “X”, Kandiq kritikoi qasjen e disa mediave, përfshirë edhe gazetën “Vreme”, duke u bërë thirrje që të mos anashkalohen faktet e pamohueshme të së kaluarës. Ajo theksoi se shqiptarët janë vrarë dhe trupat e tyre janë fshehur në varreza masive, të cilat më pas janë zbuluar edhe brenda kampeve policore në Serbi.
Duke iu drejtuar zhvillimeve të reja politike, Kandiq paralajmëroi se studentët që kanë fituar zgjedhjet, apo ata që mund të jenë pjesë e pushtetit të ri, nuk do të mund t’i ikin kësaj teme dhe do të përballen me pyetje të drejtpërdrejta për këto çështje.
“Kërkohen vetëm fakte” – Rikujtohet masakra e Podujevës
Kandiq sqaroi se ballafaqimi me të kaluarën nuk është çështje politike, por nevojë për përgjegjësi institucionale dhe respektim të dinjitetit të të gjitha viktimave.
“Kërkohen vetëm fakte, në funksion të përgjegjësisë institucionale dhe respektimit të të gjitha viktimave”, shkroi ajo, duke shtuar se në Serbi ekzistojnë aktivistë, intelektualë, studiues dhe organizata të shoqërisë civile që po e bëjnë punën e dokumentimit të viktimave pa dallim përkatësie kombëtare.
Në reagimin e saj, ajo solli në vëmendje edhe vendimet e drejtësisë, duke rikujtuar dënimin e pjesëtarëve të njësisë famëkeqe policore “Shkorpionët”, të cilët ekzekutuan gjashtë të burgosur nga Srebrenica, si dhe vranë 14 gra e fëmijë shqiptarë në Podujevë.
Në përmbyllje, Kandiq porositi se dokumentimi i saktë i këtyre krimeve është kusht i domosdoshëm për sundimin e ligjit dhe për ndërtimin e institucioneve të përgjegjshme në vend.









