Ish-ambasadori i Kosovës në Austri, analisti politik Blerim Canaj konfirmoi të martën i dyshuari për spiunazh, Fatmir Sheholli ia kishte dërguar dokumentin e pretenduar të shërbimeve inteligjente serbe ku flitet për një plan të rekrutimit të Albin Kurtit në vitin 2001.
Canaj, përmendet në dosjen e Prokurorisë Speciale. Aty thuhet se Sheholli ia kishte dërguar atij dhe disa personave të tjerë dokumentin e pretenduar të RDB-së serbe.
Sipas ish-përfaqësuesit diplomatik të Kosovës në Austri, dokumentin e kishte pranuar nga Sheholli në rrjetin social Facebook.
“Nuk është far zbulimi, për shkak se unë e kam marrë këtë dokument përmes Facebook-ut. Bile, bile veç kur më pat ardhur dhe po e këqyri, e po pyes çka është kjo?”, rrëfeu Canaj komunikimin e tij me Shehollin. “Por, tash unë me profesion jam historian; si historian ne i mësojmë gjatë studimeve që kur kemi të bëjmë me dokumente të shërbimeve sekrete duhet të jetë njeriu shumë i kujdesshëm pa pasë edhe një bazë tjetër. Po e pyes atë [Shehollin, v.j.] çka është kjo? Më tha ‘shihe’”.
Canaj tha se plani i Shehollit ka qenë shpërndarja e dokumentit, i cili sipas tij, është i fabrikuar nga shërbimi inteligjent serb (BIA).
“Unë Shehollin e kam njohur përmes studiove dhe natyrisht pyetja është pse mua? Po e di që ka edhe më shumë njerëz pastaj [që ia ka dërguar dokumentin], sepse ai ka provu dhe ka shpresuar që dikush e merr, e çon, e publikon. Por kjo është shumë e thjesht për t’u parë që ky dokument është fabrikuar për nevoja të tyre, të BIA-s”, tha Canaj.
Canaj nuk e kishte publikuar asnjëherë dokumentin. Ai tha se të njëjtin ia kishte dërguar disa miqve të tij që janë marrë me politika të sigurisë.
“Këtë dokument së pari ia kam dërguar disa njerëzve që janë marrë me politika të sigurisë, në momentin që e kam marrë”, u shpreh Canaj.
Canaj tha se për Shehollin dhe veprimtarinë e tij e kanë ditur “të gjithë”.
“Në fund të fundit, ky [Sheholli] ka vepruar katër-pesë vite edhe pas ardhjes së Albin Kurtit në pushtet”, tha ish-ambasadori.








