Materiali i mëposhtëm është një dokument jo shumë i njohur për lexuesin shqiptar, një skanim i persekutimit të klerit dhe besimit fetar në Shqipëri, shkruar nga Prof. Gjon Sinishta më 1983, një antikomunist shqiptar me origjinë nga Mali i Zi, i burgosur në ish-Jugosllavi në vitet 1950. Në kohën e botimit të materialit ai ishte profesor në Universitetin e San-Franciskos në SHBA-ës. Vetë z. Sinishta kishte studiuar në Seminarin Jezuit të Shkodrës deri më 1946, me dëshirën për t’u bërë prift, prandaj qasja e tij ndaj shkeljes të të drejtave të besimtarëve në Shqipërinë komuniste është unike dhe e një rëndësie të veçantë.
*Universiteti i San-Franciskos (1983)
Vijon nga numri kaluar
Për të treguar se nuk pajtohej me këtë “mirësi” ndaj fesë, qeveria komuniste e Shqipërisë miratoi në vitin 1976 një Kushtetutë të re, nenet 37 dhe 55 të së cilës shpallin me mburrje se; “shteti nuk njeh asnjë fe dhe ndalon të gjitha aktivitetet dhe organizatat fetare, ndërkohë që inkurajon ateizmin”.
Neni 37. Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste për të rrënjosur te njerëzit botëkuptimin materialist shkencor.
Neni 55. Ndalohet krijimi i çfarëdo organizate me karakter fashist, antidemokratik, fetar dhe antisocialist. Ndalohet veprimtaria dhe propaganda fashiste, antidemokratike, luftënxitëse, si edhe nxitja e urrejtjes kombëtare e racore.
Me këto nene, Shqipëria u bë i vetmi vend në botë ku shtypja e fesë dhe përhapja e ateizmit janë kthyer në një politikë shtetërore të mandatuar me kushtetutë. Në qershor të vitit 1977, u lëshua Kodi i ri Penal shqiptar, pika 55 e të cilit parashikon dënimet që duhen dhënë për veprimtarinë fetare.
Aty thuhet se; “propaganda fetare, si dhe prodhimi, shpërndarja ose ruajtja e literaturës së këtij lloji”, do të dënohet me burgim nga tre vjet, deri në dhjetë vjet. Në kohë lufte ose nëse veprat konsiderohen të rënda, burgimi është jo më pak se dhjetë vjet dhe mund të jepet dënimi me vdekje.
Përpara miratimit të akteve të tilla zyrtare, qeveria manifestonte të njëjtën trysni ndaj fesë. Fr. Shtjefën Kurti u ekzekutua në vitin 1972, pse pagëzoi një fëmijë në një kamp pune me kërkesë të prindit. Në vitin 1974, qeveria dënoi gjithashtu tre Peshkopë katolikë të mbetur në kampe paraburgimi, për kryerjen e shërbesave fetare në mënyrë private. Pas nxjerrjes jashtë ligjit kushtetues të fesë, në vitin 1977, Fran Mark Gjoni i Shkodrës, doli para gjyqit për posedim të biblave.
Gjoni pranoi, kur i paraqitën biblat e marra nga shtëpia e tij, se i kishte gjetur në parqe dhe në breg të detit, ku i kishin lënë turistët ose kishin ardhur nga deti. Për këtë “krim” Gjoni u dënua me 12 vjet burg. Me gjithë heshtjen totale në lidhje me rastin nga monopoli i medies për lajme të kontrolluara nga qeveria, të gjithë në Shqipëri ishin në dijeni të gjyqit dhe u interesuan shumë për të.
Ironikisht, gjyqi ndihmoi për të dëshmuar ekzistencën e vazhdueshme të besimit fetar në Shqipëri, si dhe solli në dritë reagimet skandaloze të qeverisë shqiptare edhe ndaj shprehjes më të butë të këtij besimi! Për kriminelët fetarë si Gjoni, sipas raportimeve nga refugjatët e kohëve të fundit, qeveria ka të paktën gjashtë burgje, nëntë kampe përqendrimi dhe 14 zona të mërgimit të brendshëm.
Një shembull edhe më i tmerrshëm i fushatës së vazhdueshme antifetare të qeverisë shqiptare, është ai i Peshkopit katolik Ernest Çoba, administrator apostolik i Shkodrës. Peshkopi Çoba, i izoluar që nga viti 1974 në kampin e punës në Papërr pranë qytetit të Elbasanit në Shqipërinë Qendrore, kremtoi një ceremoni të fshehtë të Pashkëve në vitin 1979, me kërkesë të shokëve të burgosur.
Fatkeqësisht, policisë iu dha informata dhe në fillim të shërbesës rojat e burgut hynë në kazermë dhe disa filluan të sulmonin Peshkopin, duke i grisur rrobat dhe duke i thyer kryqin, ndërsa të tjerët filluan të rrihnin të burgosurit që ishin mbledhur për festën. Prelati i nderuar dhe i moshuar, gati i verbër, u plagos rëndë gjatë përleshjes dhe vdiq mëngjesin tjetër. Trupi i tij u hoq menjëherë dhe u varros nga policia në një vend të pazbuluar.
Një ndër viktimat e fundit të luftës së qeverisë shqiptare kundër fesë është Fr. Ndoc Luli. S. J. Atë Luli, pas një hezitimi të gjatë, në maj të vitit 1980, pagëzoi–me kërkesën e kunatës, binjakët e saj të porsalindur në Kooperativën Bujqësore Mali i Jushit, afër Shkodrës, ku ishte izoluar. Ngjarja arriti të zbulohej, fillimisht te sekretari i celulës komuniste, më pas te policia. At Luli u arrestua menjëherë së bashku me kunatën e tij dhe të dy u morën në pyetje dhe u trajtuan ashpër.
Në gjyqin publik, i cili u zhvillua në dhomën e rekreacionit brenda Kooperativës, kunata e Fr. Lulit u dënua me tetë vjet burg me punë të rëndë, ndërsa dënimi për të ishte më i paqartë, “Me jetë deri në vdekje”. Fati i tij nuk dihet dhe shumë besojnë se Fr. Luli ka vdekur në fundin e ndonjë miniere, viktimë e Sigurimit (Policisë Sekrete Shqiptare) të frikshëm.
Me vdekjen e Peshkopit Çoba, i vetmi Peshkop katolik i mbetur në Shqipëri, është 70-vjeçari Nikoll Troshani, Peshkop titullar i Cisamos dhe Administrator Apostolik i Lezhës dhe Durrësit. Ai është izoluar në kampin e punës në Tepelenë, pranë portit detar të Vlorës. I treti ndër Peshkopët e mbijetuar, i cili u arrestua në vitin 1974, Antonin Fishta, vdiq disa vite më parë, ndërsa ishte ende në izolim.
Ata pak priftërinj dhe fetarë ende gjallë, mbeten në burgje dhe kampe të punës së detyruar. Mes tyre është edhe Mark Hasi, i cili për herë të dytë po vuan dënimin me burg të gjatë “për kryerjen e shërbesave fetare”. Të mbyllur në kampin e punës në Shqipërinë Jugore, janë Etërit Injac Gjura, Rok Gjuraj, jezuiti Gjergj Vata, Simon Jubani dhe vëllai i madh i Simonit, Lazëri, dhe dy françeskanë.
“Amnesty International” ka ndërmjetësuar më kot për lirimin e Peshkopit Troshani dhe të priftërinjve të tjerë e besimtarëve laikë, të cilët mbahen në burg vetëm për besimin e tyre. Në vitin 1977, Kardinali Humberto Medeiros i Bostonit, së bashku me Peshkopin ortodoks shqiptar Mark Lipa, dolën me një “Apel të Përbashkët për Lirinë Fetare”, i cili dënonte ligjet antifetare të Shqipërisë.
Më 28 nëntor 1981, edhe një herë Medeirosi dhe Lipa nxorën një “Deklaratë për Lirinë Fetare”, në gjashtëdhjetë e nëntë-vjetorin e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Në deklaratë, krerët fetarë kërkuan “respektimin e të drejtave të njeriut dhe veçanërisht të lirisë fetare në Shqipëri”. Ata kërkuan nga qeveria shqiptare që të lejojë rihapjen e kishave, xhamive dhe institucioneve të tjera fetare.
Ata shprehën gjithashtu bindjen e tyre se jeta e kishës dhe besimi në Zot; “promovojnë rendin e mirë shoqëror”. Më 5 tetor 1980, Papa Gjon Pali II, duke iu referuar martirëve të shumtë të Shqipërisë së sotme, u kërkoi të gjithë besimtarëve të luten për të krishterët dhe besimtarët e tjerë që persekutohen për besimin e tyre. Ai u kujtoi dëgjuesve se; “të jesh shpirtërisht pranë të gjithë atyre në Shqipëri, që vuajnë dhunën për shkak të besimit të tyre, është detyrë e veçantë e të gjithë të krishterëve sipas traditës së trashëguar nga shekujt e parë”.
Përveç kësaj, ai i nxiti të gjithë “që të luten edhe për përndjekësit e tyre, duke përsëritur thirrjen e Krishtit në Kryq drejtuar atit të Tij: ‘Fali ata; sepse ata nuk e dinë se çfarë bëjnë’”. Papa gjithashtu mbrojti martirët e akuzuar, se ata ishin fajtorë për krime politike, duke tërhequr vëmendjen se edhe Krishti qe dënuar me akuzën politike, se pretendonte se ishte Mbret.
Në vitin 1981, edhe Peshkopët e Greqisë e denoncuan persekutimin fetar në Shqipëri, duke theksuar veçanërisht fatin e besimtarëve ortodoksë. Megjithatë, thirrja e tyre kishte ngjyrime shoviniste, pasi pretendohej se 400.000 ortodoksë shqiptarë ishin shtetas grekë. Fatkeqësisht, deformimet e tyre, në vend që të ndihmonin, i lënduan besimtarët ortodoksë në Shqipëri, duke i dhënë Hoxhës pretekstin për të vazhduar përpjekjet e tij kundër fesë.
Kohët e fundit nga Evropa Lindore ka ardhur një tjetër tregues pozitiv, se opinioni botëror po interesohet për gjendjen e vështirë të besimtarëve shqiptarë. Më 7 tetor 1982, në Bukuresht të Rumanisë u mbajt një kolegjium ndërkombëtar, ndërfetar, nën kujdesin e Konferencës së Kishave Evropiane të Këshillit Botëror të Kishave. Shërbimi Ekumenik i Shtypit i Këshillit Botëror të Kishave, botoi një pjesë të dokumentit të këtij kolekuiumi, që trajton situatën fetare në Shqipëri.
Dokumenti raporton shtypjen radikale të çdo aktiviteti të organizuar fetar në Shqipëri. Ndërkohë që denoncon presionin e tanishëm ndaj fesë, sugjerohet që të krishterët jashtë Shqipërisë, ta shfrytëzojnë këtë periudhë për të përgatitur terrenin për një dialog eventual me qeverinë shqiptare, në lidhje me fatin e besimtarëve shqiptarë.
Veprimtaritë e sotme fetare në Shqipëri
Feja vazhdon të ndikojë fshehurazi në jetën e shqiptarëve të të gjitha besimeve, pavarësisht brutalitetit të fushatave antifetare. Dëshmi për këtë janë dhënë nga agjencitë zyrtare qeveritare, përfshirë shtypin qeveritar, madje edhe vetë Enver Hoxha.
Hoxha ka deklaruar së fundmi se; “feja ende nuk është çrrënjosur në vendin tonë”, “feja është ende e gjallë në klasën tonë punëtore”, “armiqtë e njerëzve që besojnë në Zot nuk flenë, vazhdojnë ta shikojnë me simpati dhe shpresë Vatikanin; këta lloj armiqsh janë brenda linjave tona partiake dhe aktive në organizatat tona”.
Këto deklarata verifikojnë raportet e ardhura nga Shqipëria, se disa praktika fetare aty janë gjallë, se ende respektohen ditët e festave kryesore, mbajtja e simboleve fetare “të maskuara”, madje edhe pjesëmarrja në pelegrinazhet fetare. Disa refugjatë të rinj shqiptarë, që kanë arritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë dy viteve të fundit, kanë dhënë detaje se si njerëzit vazhdojnë të praktikojnë besimin e tyre katolik në fshehtësinë e shtëpive të tyre.
Është gati e sigurt që priftërinjtë e mbetur katolikë janë ende gjallë në burg. Njerëzit tani mbështeten në udhëheqjen laike për shërbimet e tyre fetare. Anëtari më i madh i familjes zgjidhet për të udhëhequr shërbimin e lutjes dhe për të kryer ritet e pagëzimit dhe martesës. Medaljet fetare, kryqëzimet, fotografitë dhe rruzaret mbahen të fshehura nga familjet, për shkak të kërcënimit për bastisje nga Sigurimi Shtetit shqiptar. Që nga viti 1975, me dekretin 5339, ndalohet që fëmijëve t’u jepen emra fetarë.
Në vitin 1980, qeveria u ankua se fëmijët në shtëpi kanë filluar të thirren me emrin e shenjtorit të tyre. Masa të tilla represive gjithëpërfshirëse kundër fesë, shihen nga refugjatët si të papajtueshme me trashëgiminë shqiptare. Prindërit dhe gjyshërit e atyre që kanë mbetur në Shqipëri, kujtojnë se as gjatë sundimit osman të Shqipërisë, kur ndodhën konvertimet me detyrim, nuk ka pasur përpjekje të tilla për ta zhdukur plotësisht krishterimin.
Një tregues i mëtejshëm i ndikimit të vazhdueshëm të besimeve fetare në Shqipëri, është sondazhi i fundit i kryer në vitin 1980 nga një sociolog i qeverisë shqiptare. Sondazhi tregoi se ka një raport jashtëzakonisht të ulët (më pak se 4%) të martesave në Shqipëri, midis njerëzve me prejardhje të ndryshme fetare. Sipas këtij studimi, shqiptarët preferojnë të martohen brenda grupit të tyre fetar.
Kjo shkallë e martesave të përziera, është shumë e ulët në krahasim me vendet e tjera evropiane dhe është gjithashtu shumë më e ulët se ç’ka qenë para sundimit komunist. Kjo do të thotë se trysnia antifetare, jo vetëm që nuk ia ka hequr fesë rolin ndikues në jetën shqiptare, por përkundrazi, është rritur raporti i ruajtjes së unitetit fetar brenda besimit të dikujt, nga shumica dërrmuese e shqiptarëve.
Si mund të ndihmojmë lirinë fetare në Shqipëri
Lufta totale kundër fesë që po bën qeveria shqiptare po zgjat prej gati 40 vjetësh. Shqiptarëve ende po u shkaktohen vuajtje të jashtëzakonshme, vetëm për faktin se ata zgjedhin të besojnë në Zot. Falë popullit shqiptar ka mjaft shenja që feja është ende e gjallë në Shqipëri, siç dëshmojnë martirët, të burgosurit fetarë, madje edhe udhëheqësit komunistë. Por ka pasur shumë viktima të panjohura në këtë luftë kundër fesë.
Për shembull, ka nga ata që nuk lejohen të dëgjojnë as mesazhin e ungjillit për shkak të persekutimit të shfrenuar të priftërinjve dhe udhëheqësve të tjerë të komuniteteve fetare. Apo ka nga ata, si rasti i një refugjati të ri nga Shqipëria, që tundohen të pendohen dhe të mos besojnë për shkak se besimtarët jashtë Shqipërisë, duket se nuk janë të shqetësuar për gjendjen e vështirë të kombit.
Liria fetare në Shqipëri është një çështje drejtësie ndaj së cilës liderët civilë dhe fetarë duhet të kthejnë vëmendjen. Deri më tani, krerët e shteteve kanë vazhduar të anashkalojnë, shpërfillin, injorojnë dhe heshtin përballë veprimeve të qeverisë shqiptare, ndaj qytetarëve që dëshirojnë të praktikojnë fenë e tyre.
Duke vepruar kështu, liderët botërorë vënë në pikëpyetje angazhimin e tyre ndaj Kartës së Kombeve të Bashkuara, ku zgjedhja e fesë është një gjë aq themelore, saqë asnjë qeveri nuk ka autoritetin të diskriminojë, e jo më ta mohojë plotësisht. Udhëheqësit fetarë dhe të gjithë besimtarët, kanë detyrimin t’i ndihmojnë ata që vuajnë nga persekutimi dhe të flasin në mbështetje të tyre.
Mosrealizimi i kësaj tregon mungesë bamirësie ndaj atyre në nevojë. Heshtja jonë në lidhje me persekutimin fetar në Shqipëri, nënkupton se besimi ynë në lirinë fetare prek vetëm mjedisin tonë të afërt dhe se ne nuk i japim aq vlera lirisë fetare të të tjerëve. Sigurisht, angazhimi ynë bujar dhe i guximshëm për lirinë fetare në Shqipëri do të ndihmojë në rritjen e lirisë dhe drejtësisë në mbarë botën dhe në ruajtjen e vlerave të fesë për brezat e ardhshëm, vlera pa të cilat jemi më pak se njerëzorë.
Udhëheqësit fetarë, organizatat dhe individët besimtarë duhet t’i nxisin zyrtarët e tyre të zgjedhur të flasin kundër persekutimit fetar në Shqipëri dhe për të drejtën e shqiptarëve për të praktikuar lirisht fenë e tyre.
Protestat kundër qeverisë shqiptare duhet të regjistrohen në Kombet e Bashkuara dhe organizatat e të drejtave të njeriut, duke tërhequr vëmendje të veçantë për ato seksione të Kushtetutës dhe Kodit Penal të Shqipërisë që kanë të bëjnë me heqjen e fesë, të cilat janë në kundërshtim me Kapitullin IX, neni 55, të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Organizatat fetare, të cilat shpesh kanë shprehur shqetësimin për të drejtat e njeriut, duhet ta sjellin këtë çështje në forumin publik dhe ta kthejnë vëmendjen e anëtarëve të tyre drejt veprimeve të bashkërenduara në emër të besimtarëve fetarë shqiptarë. / Memorie.al









