Autoritetet greke po hetojnë rrethanat e vdekjes së një 19-vjeçareje me mbiemrin Myrto, e cila u gjet e pajetë në orët e para të mëngjesit të së martës (14 prill 2026) në një park pranë sheshit qendror të Argostolit, në ishullin Kefalonia. Shkaqet e vdekjes mbeten ende të paqarta, ndërsa rasti është shoqëruar me dyshime dhe paqartësi të shumta.
E reja u gjet pa ndjenja rreth orës 04:40 në një zonë qendrore të qytetit, përballë një lokali në shesh. Në vendngjarje ndërhynë menjëherë ekipet e emergjencës, të cilat e transportuan në Spitalin e Përgjithshëm të Kefalonisë. Mjekët u përpoqën ta rikthenin në jetë, por pa sukses.
Familjarët e viktimës deklaruan për median greke Neësbomb se 19-vjeçarja nuk kishte probleme shëndetësore dhe kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes. “Presim përgjigjet nga ekspertiza mjeko-ligjore. Nëse dikush i ka bërë keq, duhet të mbajë përgjegjësi,” u shpreh një i afërm i saj.
Në kuadër të hetimeve, policia ka arrestuar dy persona, një 26-vjeçar dhe një 22-vjeçar me origjinë nga Shqipëria, ndërsa një person i tretë është shpallur në kërkim. Të dy të arrestuarit akuzohen për veprën penale të “ekspozimit në rrezik”.
Sipas mediave greke, 26-vjeçari rezulton të jetë ish-kampion i peshëngritjes për të rinjtë, me medalje ari në një kampionat evropian të grupmoshës U17. Të dy të dyshuarit janë paraqitur vetë në polici, të shoqëruar nga avokatët e tyre, dhe ndaj tyre është vënë në dijeni prokurori i çështjes.
Hetimet u fokusuan tek ata pas analizës së pamjeve filmike nga një hotel pranë vendit ku u gjet viktima. Në video shfaqet një nga të arrestuarit duke e transportuar 19-vjeçaren, i shoqëruar nga dy persona të tjerë.
Policia ka vijuar kontrollet në banesat e të dyshuarve, në prani të prokurorit, ndërsa pritet që rezultatet e autopsisë të hedhin dritë mbi shkakun e vdekjes dhe rolin e mundshëm të personave të përfshirë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, veçanërisht pas një postimi të nënës së vajzës në rrjetet sociale disa ditë para tragjedisë, ku ajo shprehte dashurinë për të bijën. Mesazhi, që në atë kohë ishte një shprehje e zakonshme e afeksionit, tashmë lexohet në një kontekst krejt tjetër pas humbjes së rëndë.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një version përfundimtar mbi ngjarjen, ndërsa hetimet vijojnë në disa drejtime për të sqaruar plotësisht rrethanat e vdekjes së 19-vjeçares.









