Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, është deklaruar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, pasi kandidatja e kësaj partie për nënkryetare të Kuvendit nuk mori votat e mjaftueshme.
Deliu-Kodra tha se Lëvizja Vetëvendosje refuzoi ta votojë kandidaten e PDK-së.
“Kjo që ndodhi sot është një situatë e paprecedentë, për faktin se u pa qartazi përpjekja e pareshtur e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar tutje realitetin e Kuvendit. Ne votuam për kandidatin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për nënkryetar të Kuvendit, ashtu siç e parasheh edhe rregullorja e Kuvendit”, u shpreh Deliu-Kodra.
Ajo shtoi se këtë të premte, sipas saj, u pa qartazi loja e vazhdueshme e bllokadës nga ata që, siç tha ajo, nuk e duan konstituimin e Kuvendit të Kosovës.








