Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka mbajtur një konferencë për media pas tensioneve të sotme në Kuvend, duke paralajmëruar se PDK-ja do ta intensifikojë aktivitetin politik si brenda, ashtu edhe jashtë institucionit.
Çitaku ka bërë të ditur se PDK-ja do të paraqesë sërish kërkesë për seancë pas 48 orësh dhe se deputetët e kësaj partie do të jenë edhe nesër në Kuvend.
“Ne sërish do të bëjmë kërkesë për seancë pas 48 orësh. Dhe aktiviteti ynë nuk do të kufizohet vetëm brenda këtij institucioni, ai do të zhvendoset edhe jashtë Kuvendit në forma më të gjera të mobilizimit demokratik dhe qytetar”, ka thënë ajo.
Sipas Çitakut, PDK-ja do të zhvillojë takime dhe bashkëbisedime me qytetarë, mjekë, studentë dhe përfaqësues të shtresave të ndryshme të shoqërisë.
Ajo ka vlerësuar se situata aktuale nuk lidhet vetëm me betimin apo zgjedhjen e drejtuesve të Kuvendit, por me një bllokadë më të gjerë institucionale.
“Shteti është i bllokuar. Këtë nuk do ta lejojmë. Do ta shihni në ditët në vijim që PDK do të jetë aktive çdo ditë”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo ka shtuar se kërkesa zyrtare do t’i dorëzohet sërish Avni Deharit, ndërsa ka paralajmëruar edhe aktivitete të tjera politike në ditët në vijim.








