Arlinda kishte udhër mbrojtje për gjashtë muaj, kërkonte te kthehej te djali – thotë Prokuroria

Prokuroria Themelore në Pejë ka dalë me një komunikatë, ku ka dhënë versionin zyrtar të këtij institucioni për veprimet e ndërmarra lidhur me rastin tragjik të Arlinda Zekajt, e cila u vra nga kunati i saj, në fshatin Vitomiricë të kësaj komune.

Sipas Prokurorisë, më 16 tetor 2026, Gjykata kishte nxjerrë një vendim përmes të cilit ishte urdhëruar që ish-bashkëshorti i tani të ndjerës ta lejonte atë të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët.

“Po ashtu, ishte lëshuar urdhër mbrojtjeje për një periudhë gjashtëmujore, i cili kishte hyrë në fuqi menjëherë.

Sipas vendimit gjyqësor, zbatimi i urdhrit dhe njoftimi i Gjykatës për zbatimin e tij apo për pengesat eventuale ishin përgjegjësi e Policisë së Kosovës.” – thuhet në njoftim.

Në ditën kur viktima kishte kërkuar zbatimin e urdhrit dhe kthimin në shtëpinë e përbashkët, Policia e Kosovës e kishte njoftuar prokurorin kujdestar për rrethanat e rastit.

Në sqarimin e PTH thuhet se Prokurori kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm paraqet rrezik për sigurinë e Arlindës, prandaj është bërë e ditur se ishin ftuar familjarët e saj.

“Pas vlerësimit të situatës dhe të rrezikut të mundshëm për sigurinë e saj, prokurori i shtetit kishte vlerësuar se kthimi i menjëhershëm në shtëpinë e përbashkët mund të paraqiste rrezik për jetën dhe sigurinë e viktimës.

Me qëllim të mbrojtjes së saj, prokurori kishte kontaktuar familjarët e viktimës, përkatësisht vëllezërit e saj, të cilët ishin ftuar në stacionin policor dhe ishin njoftuar për rrethanat e rastit.

Pavarësisht insistimit të viktimës për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët, prokurori i shtetit, duke marrë parasysh rrethanat e paraqitura dhe rrezikun e mundshëm, kishte udhëzuar që ajo të dërgohej në shtëpinë e vëllezërve të saj.

Me kërkesën e shprehur të viktimës, prokurori i shtetit dhe hetuesit policorë, në praninë e saj dhe të familjarëve, kishin përpiluar një shkresë zyrtare në të cilën ishin paraqitur arsyet përse ishte vlerësuar e nevojshme që ajo të qëndronte te vëllezërit e saj.

Pas bisedimeve, viktima kishte pranuar të shkonte te familjarët, por kishte kërkuar që të nesërmen të shoqërohej nga një patrullë policore për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët.”

Po atë natë, prokurori i shtetit, së bashku me hetuesit e rastit, kishte bërë vlerësimin profesional të nivelit të rrezikut dhe të masave të nevojshme të sigurisë.

“Si rezultat, ishte vendosur që, gjatë kthimit të planifikuar të viktimës në shtëpinë e përbashkët, një patrullë policore të qëndronte në afërsi të shtëpisë.”

Megjithatë, nuk është sqaruar për periudhën që patrulla policore do të qëndronte të shtëpia.

“Për këto rrethana ishte përpiluar procesverbali i datës 22 tetor 2026. Prokurori i rastit kishte kërkuar që përmes së njëjtës shkresë të njoftohej edhe gjyqtari i çështjes që kishte nxjerrë vendimin për shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët nga bashkëshortët.” – njoftoi Prokuroria.

Ditën e djeshme, kur ndodhi ngjarja tragjike, Policia e Kosovës kishte kontaktuar prokurorin për një rast të dhunës në familje, në shtëpinë e tani të ndjerës.

Në stacionin policor ishin shoqëruar ish-bashkëshorti i saj, J.S., dhe viktima.

“Në lidhje me rastin ishte iniciuar procedurë për veprën penale të mospërfilljes së gjykatës, ndërsa J.S. ishte ndaluar për 48 orë.”

Gjatë trajtimit të rastit, viktimës i ishte ofruar mundësia për të shkuar në një strehimore, por ajo kishte refuzuar, duke kërkuar të kthehej në shtëpinë e përbashkët, ku ndodhej djali i saj dhe pasuria e saj.

Aty, ajo gjeti vdekjen.

Kunati, Albert Sylaj e goditi me sëpatë.

Sipas Prokurorisë, në vendin e ngjarjes mbrëmë kanë dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, Kryeprokurorja dhe prokurorja kujdestare, me qëllim të përcjelljes nga afër të situatës dhe ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore në vendin e ngjarjes.

Ndryshe, Prokuroria ka njoftuar po ashtu se më 23 tetor kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të tani të ndjerës, për veprën penale të kanosjes në kuadër të marrëdhënies familjare.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit