Agim Bahtiri nën hetim, Naim Abazi e mbyll dosjen: Ku mbetën 252 mijë eurot e “Ndihmo edhe ti”?

Korrupsioni në teori dhe në praktikë.

“Sa lehtë është të flasësh për luftën kundër korrupsionit në teori! Por çfarë ndodh kur kjo përballet me praktikën?”

Naim Abazi, i cili pak kohë më parë synonte pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit me premtime për rend e ligj, si Prokuror Special ka pasur në duar një rast mjaft interesant.

Bëhet fjalë për një fond humanitar me qindra mijëra euro e vendime zyrtare që nuk përputhen me letrat. Dhe në fund, ky rast u mbyll.

Aksioni humanitar “Ndihmo edhe ti” A ju kujtohet ky aksion? “Ndihmo edhe ti” ishte një thirrje për solidaritet.

Paratë mblidheshin për një qëllim që prekte familje të dëmtuara nga lufta: rindërtimin e shtëpive në veri të Mitrovicës.

Qytetarët, bizneset dhe donatorët kontribuan në këtë fond, duke arritur shifrën prej rreth 400 mijë eurosh. Ky nuk ishte një fond i zakonshëm, por një fond i krijuar me para të dhuruar nga publiku për qëllim humanitar. Pikërisht për këtë arsye, gjurma e secilës euro duhet të ishte krejtësisht e qartë, por nuk është kështu.

Rasti që përfundoi te Prokurori Special Naim Abazi

Për menaxhimin e këtyre parave u paraqit një kallëzim penal kundër Agim Bahtirit, atëherë kryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. Pretendimi lidhej me mënyrën se si u përdorën mjetet e fondit dhe vendimet për ndarjen e tyre.

Rasti u trajtua nga Prokuroria Speciale, konkretisht nga Prokurori Naim Abazi. Më 18 dhjetor 2024, pas dy vitesh hetim, Prokurori Abazi vendosi ta mbyllë rastin me arsyetimin se nuk janë provuar elementet e keqpërdorimit të pozitës zyrtare. Por dokumenti që e mbyll rastin përmban shifra e vendime që hapin dyshime të reja.

Naim Abazin e ka pritur Insajderi për disa javë, por ai nuk ka dhënë asnjë sqarim. Agim Bahtiri, sot deputet i Kuvendit të Kosovës, në kohën e këtyre vendimeve udhëhiqte Komunën e Mitrovicës së Jugut dhe kishte nënshkruar shfrytëzimin e mjeteve. Kjo e bëri atë të dyshuarin kryesor. Insajderi i ka dërguar pyetje Agim Bahtirit për shumën e parealizuar, vendimin e shfuqizimit dhe destinimin e parave. Bahtiri ua ka bërë seen pyetjeve që i janë dërguar edhe në Facebook, pos në e-mail, por jo më shumë.

Sipas vendimit të Prokurorisë, në vitin 2012 në buxhetin e komunës janë alokuar (rreth 370 mijë euro) për rindërtimin e shtëpive në veri të Mitrovicës. Mirëpo, në vitet 2016 dhe 2017 janë nxjerrë vendime për shfrytëzimin e (rreth 409 mijë euro). Kur krahasohen këto dy shifra, del një diferencë prej (rreth 39 mijë euro) më shumë. Dokumentet nuk e sqarojnë se nga erdhën këto para shtesë dhe a ekziston ndonjë pasqyrë financiare që e arsyeton këtë mospërputhje.

252 mijë eurot e parealizuara

Dokumenti thotë se nga vendimet prej (rreth 409 mijë euro), janë realizuar vetëm (rreth 157 mijë euro). Kjo do të thotë se (rreth 252 mijë euro) kanë mbetur të parealizuara. Prokuroria pretendon se këto mjete janë bartur në vendime pasuese.

Mirëpo, dokumenti nuk e shfaq asnjë tabelë që tregon se sa para janë liruar, ku janë bartur dhe në cilën llogari kanë përfunduar. Kjo është edhe pyetja kryesore e këtij hulumtimi: ku përfunduan (rreth 252 mijë euro) të fondit humanitar?

Vendimi për Ramadan Istrefin dhe masa e gjykatës

Një detaj tjetër lidhet me vendimin e 25 tetorit 2016, me vlerë prej (rreth 116 mijë euro) për disa përfitues, ku përfituesit Ramadan Istrefi i ishin caktuar (rreth 20 mijë euro). Nga ky vendim u realizuan vetëm (rreth 5 mijë euro). Për këtë çështje, Gjykata Themelore në Mitrovicë kishte caktuar masë të përkohshme sigurie prej (rreth 40 mijë euro), duke ndaluar çdo tjetërsim të mjeteve. Përkundër masës së gjykatës, në dokumentin e Prokurorisë përmendet se Komuna kishte nxjerrë një vendim më 1 qershor 2017 për shfuqizimin e tij.

Por këtu lind absurditeti: Komuna i ka thënë Policisë se nuk ka arritur ta gjejë kopjen e këtij vendimi në asnjë arkiv apo zyre ligjore. Mbetet e pasqaruar se si u shfuqizua një masë gjyqësore përmes një dokumenti që fizikisht nuk ekziston asgjëkundi. Mjegull ka edhe rreth një pagese prej (rreth 26 mijë euro) për blerjen e një banese për familjen e Selver Haradinajt. Kjo pagesë figuron në pasqyrën e Njësisë së Inteligjencës Financiare, por nuk është përfshirë në të njëjtën mënyrë në materialet e Komunës dhe të Thesarit. Në një fond humanitar, pasqyra financiare duhet të jetë identike në bankë, në komunë dhe në Thesar. Mungesa e përputhjes lë dyshime mbi autorizimin e kësaj daljeje parash.

Donacioni i mundshëm nga Lulzim Basha

Në materialet e rastit përmendet edhe një donacion prej (rreth 100 mijë dollarë) nga Lulzim Basha, atëherë kryetar i Bashkisë së Tiranës. Por ky donacion mbetet i paverifikuar. Nuk ka asnjë dokument që provon nëse këto para kanë hyrë realisht në llogari dhe ku janë përfshirë. Të intervistuarit nuk dhanë asnjë sqarim për këtë burim financiar. Prokuroria Speciale arriti në përfundimin se nuk janë provuar elementet e keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Në vendim thuhet se nuk është dëshmuar dëm konkret dhe se veprimet kanë qenë brenda fushës së autorizimeve zyrtare. Prokuroria Speciale e mbylli rastin me arsyetimin se nuk është dëshmuar dëm konkret. Por mbyllja e hetimit lë pas dyshime të mëdha financiare: mospërputhjen mes alokimit dhe vendimeve, fatin e (rreth 252 mijë euro) të parealizuara, mungesën e vendimit të qershorit 2017 dhe daljen e (rreth 26 mijë euro) pa pasqyrë të qartë. Këto dyshime nuk marrin përgjigje vetëm me një fjali “Rasti mbyllet” nga Prokurori Special, Naim Abazi.

Aksioni “Ndihmo edhe ti” nisi si një nismë solidariteti për familjet e dëmtuara nga lufta. Por dokumentet tregojnë se, edhe pas mbylljes së hetimit, publiku ende nuk e ka një pasqyrë të vetme e të qartë të këtij fondi. Ajo që mungon është llogaridhënia e plotë: sa është paguar, kujt i është paguar dhe me cilin dokument provohet secila euro e shpenzuar. Derisa këto përgjigje të mungojnë, rasti mbetet i mbyllur në Prokurori, por i pasqaruar për publikun.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit