Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas përfundimit të takimit me liderët e partive politike, ka deklaruar se partia e tij ka ofruar dy zgjidhje kompromisi për tejkalimin e ngërçit institucional, por sipas tij, mungesa e vullnetit politik nga opozita ka pamundësuar arritjen e një marrëveshjeje.
“E kam bërë konsultimin konstruktiv dhe bashkëpunimin në mirëbesim, por u pa se konsensus nuk ka,” tha Kurti para gazetarëve. Ai theksoi se në emër të VV-së ka ofruar dy propozime konkrete për të zgjidhur situatën.
“Kompromisi i parë ka qenë tërheqja e kandidaturës së Albulena Haxhiut nëse në votimin e fshehtë nuk merr 61 vota. Ajo nuk do të hyjë në garë dy herë. Ky ishte një sinjal i qartë i gatishmërisë për kompromis,” deklaroi Kurti, duke theksuar se ky qëndrim është bërë publikisht edhe nga vetë Haxhiu.
Sa i përket propozimit të dytë, Kurti tha: “Kemi ofruar marrëveshje për një paketë të përbashkët për votimin e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të Kuvendit, sipas nenit 67 të Kushtetutës. Madje kemi sugjeruar që opozita të delegojë përfaqësues në Komisionin për votim të fshehtë për ta rrëzuar, nëse janë kundër.”
Kurti shprehu pakënaqësi për qëndrimet e PDK-së dhe LDK-së, duke i akuzuar për keqinterpretim të qëllimshëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“PDK dhe LDK e kanë lexuar gabim aktgjykimin dhe po e interpretojnë publikisht në mënyrë të shtrembëruar. Nuk ka asnjë fjali që e akuzon anëtarin e Komisionit, Avni Dehari, për shkelje. Ata po i japin një kuptim që nuk ekziston,” theksoi Kurti.
Në fund, ai tha se takimi ia ka vlejtur për sqarimin e pozicioneve, por mbetet skeptik për gatishmërinë e opozitës për marrëveshje reale politike.








