Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar për herë të parë pas lajmit për sulmin iranian ndaj bazës ushtarake amerikane Al Udeid në Katar – por jo për të komentuar ngjarjen.
Përmes një postimi në Truth Social, Trump nuk përmendi aspak sulmin ndaj forcave amerikane në Katar, por u fokusua në lavdërimin e operacionit ajror të fundjavës mbi objektet bërthamore iraniane:
“Vendndodhjet që goditëm në Iran u shkatërruan totalisht, dhe të gjithë e dinë këtë,” shkroi ai, duke sulmuar njëkohësisht mediat si “fake news”.
Megjithatë, vëzhgues ndërkombëtarë dhe disa media amerikane paralajmërojnë se është ende herët për një vlerësim të saktë të dëmeve të shkaktuara mbi programin bërthamor iranian. Sidomos në rastin e objektit në Fordow, që ndodhet në thellësi të nëntokës dhe është jashtë mundësisë së vëzhgimit me imazhe satelitore të zakonshme.
Zyrtarët amerikanë e kanë karakterizuar operacionin si një sukses të qartë, por mungesa e provave të pavarura dhe heshtja për impaktin real afatgjatë ndaj kapaciteteve iraniane, po shton pikëpyetjet për efektshmërinë strategjike të goditjeve.






