Një sulm kibernetik spektakolar ka tronditur zemrën e propagandës së regjimit iranian: sinjali satelitor i televizionit shtetëror IRIB është ndërprerë papritur dhe është zëvendësuar me pamje dhe mesazhe kundër qeverisë së Teheranit.
Pamjet që kanë qarkulluar me shpejtësi në rrjetet sociale tregojnë një ndërhyrje të organizuar dhe të sinkronizuar në valët zyrtare, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë kibernetike të Republikës Islamike.
Burimi i sulmit mbetet ende i panjohur, ndërsa autoritetet iraniane nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare. Ndërkohë, Izraeli, i përfolur shpesh për operacione të tilla të sofistikuara, ka mohuar çdo përfshirje në incident, duke cituar burime zyrtare se “nuk ka asnjë lidhje me ndërhyrjen”.
Ky episod ndodh në një moment kur rajoni po zien nga tensionet, përplasjet ushtarake janë intensifikuar dhe retorika mes Teheranit, Tel Avivit dhe Uashingtonit po bëhet çdo ditë e më kërcënuese. Lufta nuk është më vetëm në terren, tashmë ajo luhet edhe në ajër, nën tokë dhe mbi gjithçka, në eterin e informacionit.










