Zëdhënësi i ushtrisë izraelite tha se Izraeli ka “arritur kontroll të plotë ajror mbi Teheranin”.
“Kemi shkatërruar një të tretën e lëshuesve të raketave tokë-tokë të regjimit iranian”, tha gjenerali i brigadës, Effie Defrin, gjithashtu gjatë një informimi për mediat.
Defrin tha se forcat ajrore izraelite shkatërruan mbi 20 lëshues raketash vetëm gjatë natës së kaluar, “pak minuta përpara” se të përdoreshin për të lëshuar raketa drejt Izraelit.
Ai shtoi se Izraeli kreu gjithashtu një valë sulmesh ndaj rreth 100 objektivave ushtarake në Isfahan, në Iranin qendror, duke angazhuar rreth 50 avionë luftarakë për të goditur depo raketash, lëshues dhe qendra komanduese.
Ndërkohë siç raportojnë mediat iraniane, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, u zhvendos në një bunker nëntokësor në Lavizan, në veri-lindje të Teheranit, vetëm disa orë pasi Izraeli nisi sulmet.
Të gjithë anëtarët e familjes së Khameneit, përfshirë edhe djalin e tij Mojtaba, ishin me të në bunker, sipas këtyre burimeve.
Rojet Revolucionare të Iranit kanë deklaruar se sulmi i fundit kundër Izraelit u krye me një metodë të re, e cila ka bërë që sistemet e mbrojtjes me shumë shtresa të Izraelit të reagojnë ndaj njëra-tjetrës.
Kjo, sipas tyre, ka lejuar Iranin të godasë me sukses një numër të madh objektivash.
Ushtria izraelite (IDF) nuk ka reaguar menjëherë ndaj kërkesave për koment mbi sulmet, ndërsa zyrtarët izraelitë kanë përsëritur se sistemi “Kupola e Hekurt” nuk ofron mbrojtje 100% dhe kanë paralajmëruar për ditë të vështira në vijim.








