Një këngëtar i njohur tajlandez ka zbuluar një rastësi të frikshme mes mbijetesës së tij nga një aksident ajror në vitin 1998 dhe mbijetesës së vetme nga aksidenti i para pak ditëve me një avion të Air India.
Të dy ndodheshin në të njëjtin vend – 11A.
James Ruangsak Loychusak ishte në bordin e fluturimit TG261 të Thai Airways, që fluturonte nga Bangkoku për në Indi në dhjetor të vitit 1998, kur Airbus-i A310-200 humbi kontrollin gjatë përpjekjes së tretë për të ulur avionin në mes të një shiu të dendur dhe dukshmërisë së ulët.
Avioni u rrëzua rreth tre kilometra larg Aeroportit Ndërkombëtar Surat Thani, ku shpërtheu në flakë, duke shkaktuar vdekjen e 101 nga 146 pasagjerët dhe ekuipazhit që ndodheshin në bord.
Loychusak mbijetoi, por u plagos rëndë në aksident, duke pësuar trauma të shtyllës kurrizore, brinjë të thyera dhe gjakderdhje në tru, i tha ai gazetës The Telegraph India.
“Kjo ishte një rastësi e çuditshme”, tha ai.
Kur dëgjoi për aksidentin e Air India, ku humbën jetën 241 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit, Loychusak mbeti i tronditur kur zbuloi se kishte një ngjashmëri të habitshme mes përvojës së tij dhe asaj të të vetmit të mbijetuar, shtetasit britanik Vishwashkumar Ramesh.

Ky i fundit ndodhej në vendin 11A, rreshti pesë, pak pas klasës së biznesit, pranë një daljeje emergjence.
Të premten, Ramesh u tha gazetarëve se kishte arritur të hapte derën e emergjencës përpara se avioni të shpërthente.
“Mbijetues i një aksidenti ajror në Indi. Ai ishte ulur në të njëjtin vend si unë. 11A”, postoi Loychusak në Facebook, i cili dikur mbushte stadiume dhe që, për një kohë pas aksidentit të tij, u bë murg budist.
I pyetur nëse vendi 11A ka ndonjë domethënie të veçantë, Loychusak u tregua i kujdesshëm.
“Nëse përgjigjem si një njeri i shkencës, është thjesht rastësi. Por shpirtërisht… ndoshta është një bekim. Nuk e di. Nuk do të doja të thosha shumë – njerëzit mund të nxitojnë të rezervojnë atë vend”, tha ai mes tjerash.
Si një i mbijetuar vetë, kishte një këshillë për Ramesh.
“Do t’i thoja atë që dikur më tha një njeri i mençur: Ata lart tashmë kanë zgjedhur. Prandaj jeto jetën duke bërë vetëm të mira dhe gjej lumturinë në çdo ditë që të është dhënë”.








