spot_img
spot_img
Sunday, December 21, 2025
spot_img
spot_img

A mund të bëhet sërish Gjermania gjiganti ushtarak i Evropës?

Teksa po bëhej e qartë se presidenti Donald Trump, ishte serioz në lidhje me reduktimin e angazhimit ushtarak të Amerikës ndaj NATO-s dhe mbrojtjes evropiane, shumë udhëheqës në anën tjetër të Atlantikut ishin në gjendje shoku.

Brenda një periudhe 3-ditore në mesin e shkurtit, Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth iu drejtua Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, ndërsa zëvendëspresidenti J.D,Vance foli në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Mesazhi i tyre për Evropën ishte i qartë: Varet nga ju që të shpenzoni më shumë.

Një nga rezultatet e ndryshimit të situatës, është që kancelari i ri i Gjermanisë, Friedrich Merz, shpalli kohët e fundit qëllimin e tij për ta bërë Bundeswehr-in forcën e armatosur më të fuqishme në Evropë. “Kjo është më se e përshtatshme për vendin më të populluar dhe ekonomikisht më të fortë në Evropë”- deklaroi ai në Bundestag, parlamentin e Gjermanisë.

“Këtë presin nga ne edhe miqtë dhe partnerët tanë. Madje ata po e kërkojnë këtë gjë”- nënvizoi ai. Ishte pjesërisht mbështetja e modernizimit dhe zgjerimit të Bundeswehr-it, arsyeja pse Merz nxitoi në miratimin e legjislacionit nga parlamenti në largim në mars, për të ndryshuar Ligjin Bazë, kushtetutën e Gjermanisë, për të lejuar që deficiti strukturor buxhetor të rritet përtej nivelit 0.35 për qind të PBB-së, i ashtuquajturi “frenues i borxhit” që ka pasur vendi për shumë kohë.

Ky moment kishte kohë që pritej. Kancelari i mëparshëm, Olaf Scholz, mbajti një fjalim emocionues disa ditë pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, duke premtuar një pikë kthese historike – Zeitenwende” – në politikën e mbrojtjes dhe sigurisë së Gjermanisë.

Por pavarësisht një fondi të posaçëm prej 100 miliardë eurosh për modernizimin ushtarak, Bundeswehr mbetet ende i financuar jo në nivelin e duhur, i pajisur dobët dhe nën kapacitetet e tij të vërteta. Shumë nga mjetet ushtarake dhe shumica e pajisjeve të saj janë të vjetruara, përfshirë avionin sulmues Tornado të Luftwaffe-s dhe mjetet luftarake të këmbësorisë, Marder. Një dekadë më parë, pati raportime poshtëruese për shkopinj fshesash që zëvendësonin mitralozat gjatë stërvitjeve, teksa Ministrja e Mbrojtjes e asaj kohe, Ursula von der Leyen (tani presidente e Komisionit Evropian) e pranoi se shumica e avionëve luftarakë të Luftwaffe-s nuk ishin të përdorshëm për misione luftarake.

Një batutë që i atribuohet gjeneralit britanik, Lordit Ismay, njëherazi Sekretari i parë i Përgjithshëm të NATO-s, është se aleanca u krijua në vitin 1949 “për të mbajtur rusët jashtë, amerikanët brenda, dhe gjermanët poshtë”. E pari nga këto detyra është tani më urgjente se kurrë. E dyta ka dështuar, ndërsa e treta duket të jetë e kundërta e kursit aktual.

Bundesëwhr-i përballet me një sërë sfidash. Rekrutimi është një problem i madh. Forcat e armatosura gjermane kanë aktualisht pak më shumë se 180.000 trupa, por duhet të zgjerohen në mbi 200.000 brenda viteve të ardhshme për të marrë përsipër përgjegjësitë që u janë caktuar nga politikanët.

Ka mungesa në një numër rolesh të specializuara, dhe Bundeswehr s’ka gjetur ende një mënyrë efektive për ta bërë veten një perspektivë më tërheqëse për rekrutët e rinj. Deri në vitin 2011, Gjermania kishte shërbim ushtarak të detyrueshëm – megjithëse, duke iu referuar historisë së vështirë të vendit, ka pasur shumë përjashtime dhe kërkonte vetëm një periudhë 6-mujore.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, që vjen nga radhët e socialdemokratëve, po prezanton një skemë sipas së cilës meshkujt 18-vjeçarë duhet të plotësojnë një pyetësor mbi gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të shërbyer në Bundeswehr. Ata mund të ftohen të regjistrohen, por kjo do të mbetet vullnetare.

Megjithatë, Pistorius ka paralajmëruar se mund të marrë në konsideratë edhe rikthimin e rekrutimit të detyrueshëm nëse ai vullnetar do jetë i pamjaftueshëm. Këto janë që të gjitha masa që Uashingtoni duhet t’i miratojë. Megjithatë, riarmatimi i Gjermanisë nënkupton blerjen e konsiderueshme të pajisjeve të reja.

Dhe pikërisht këtu Donald Trump ka krijuar efekte negative. Tani diskutimet në NATO dhe BE, po fokusohen tek forcimi i sektorit evropian të mbrojtjes përmes blerjeve nga kompanitë në kontinent duke e zvogëluar varësinë nga SHBA-të. Në këtë drejtim, çështja kryesore nuk është një Bundeswehr i modernizuar.

Gjermania nuk po blen shumë pajisje ushtarake amerikane. Luftwaffe ka porositur 35 avionë sulmues Lockheed Martin F-35A Lightning II (megjithëse ka pasur thirrje për të anuluar blerjen); 60 helikopterë Boeing CH-47F Chinook. Ndërkaq prodhuesi gjerman Rheinmetall, po bashkëpunon me Lockheed Martin për Sistemin Global të Artilerisë së Lëvizshme.

Diku tjetër në Evropë, industria amerikane e mbrojtjes ka gjetur gjithmonë klientë të mirë. Italia, Danimarka, Holanda, Norvegjia, Belgjika dhe Polonia janë të gjitha blerëse të avionëve luftarakë F-35, ndërsa ka porosi të reja nga Finlanda, Republika Çeke, Greqia dhe Rumania.

Një duzinë vendesh evropiane. përdorin ende transportuesin e blinduar M113, dhe shumë vende më të vogla kanë një histori të gjatë të mbështetjes tek automjetet ushtarake amerikane për besueshmëri dhe ndërveprim. Thuhet shpesh se Trump adhuron “altarin e marrëveshjeve”. Megjithatë, personaliteti i tij është i papërshtatshëm për kompromiset. Gjithsesi mund të jetë vendosmëria e kancelarit Merz për ta bërë Gjermaninë përsëri të madhe, sa për të përshtatur një frazë shumë në modë sot në SHBA, ajo që do ta inkurajojë Evropën të kujdeset për mbrojtjen e vet, siç ka dashur prej kohësh edhe presidenti aktual i SHBA-së.

Rezultati përfundimtar, mund të jetë që Evropa do të blejë shumë më pak pajisje ushtarake nga prodhuesit kryesorë amerikanë. Lockheed, RTX, Northrop Grumman, General Dynamics, Boeing dhe të tjerë do të detyrohen që të pajtohen me këtë gjë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit