Një fluturim i Ryanair nga Berlini drejt Milanos (Malpensa) është përballur me momente tmerri të mërkurën në mbrëmje, kur mbi hapësirën ajrore të Bavarisë u fut në një zonë stuhie të fuqishme.
Sipas dëshmitarëve, avioni përjetoi turbulenca masive, dhe sipas informacioneve të BILD, disa pasagjerë u përplasën me tavanin e kabinës!
Fluturimi u detyrua të devijonte dhe të ulej urgjentisht në aeroportin e Memmingenit (Bavari). Një pasagjer u shpreh për BILD: “Asnjëherë nuk kam pasur frikë më parë, por në atë moment mendova se avioni po copëtohej.”
Pamjet nga brenda kabinës tregojnë skena të tronditshme – tavane të hapura dhe pasagjerë në gjendje shoku total.
Anëtari i ekuipazhit shpërthen në lot
Një nënë ndodhej në tualetin e avionit bashkë me foshnjën në momentin e turbulencave. Madje, një anëtare e ekuipazhit nuk arriti të përmbante emocionet dhe shpërtheu në lot.
Situata u bë edhe më alarmante pasi shumë pasagjerë nuk ishin të lidhur me rripin e sigurimit – sipas dëshmive të vetë udhëtarëve, nuk kishte një njoftim të vazhdueshëm për të qëndruar të lidhur.
Shërbimi Meteorologjik konfirmon motin ekstrem
Instituti gjerman i motit Kachelmannwetter publikoi në të njëjtën kohë imazhe që tregonin një stuhi të fuqishme mes qyteteve Ulm dhe Memmingen. Edhe të dhënat e faqes Flightradar24 konfirmojnë ndryshimin e menjëhershëm të kursit të avionit drejt Memmingenit.

Pas incidentit, avioni u detyrua të ulej jashtë planit në Memmingen (foto ilustruese)
Ende nuk dihet nëse ka pasur të lënduar apo dëmtime në avion. Një anëtar i ekuipazhit mori trajtim mjekësor. Deri më tani, kompania Ryanair nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare. Në faqen e saj zyrtare, Ryanair kishte paralajmëruar që të mërkurën për vonesa dhe ndërprerje të mundshme për fluturimet nga dhe drejt Gjermanisë për shkak të motit të keq.









