Forcat Ajrore të Ukrainës kanë raportuar se një grup ushtarësh rusë janë dorëzuar pranë rajonit të Kurskut në lindje të Rusisë, duke u bërë robër lufte në duart e ukrainasve.
Sipas deklaratës zyrtare, ushtarët rusë u dorëzuan vullnetarisht për shkak të “trajtimeve çnjerëzore, presionit psikologjik dhe kërcënimeve” që kishin përjetuar nga eprorët e tyre në njësitë ruse.
“Forcat ruse i janë nënshtruar abuzimeve që për ta ishin më të tmerrshme sesa kapja nga forcat tona,” thuhet në një postim të Forcave Ajrore të Ukrainës në Facebook.
Tashmë, ushtarëve të kapur u është ofruar ndihmë mjekësore dhe mbështetje psikologjike. Zyrtarët ukrainas kanë deklaruar se të njëjtët mund të përfshihen në raundet e ardhshme të shkëmbimit të robërve të luftës me palën ruse.
Dorëzimi i ushtarëve vjen në një kohë kur forcat ukrainase kanë nisur një ofensivë të guximshme përgjatë kufirit lindor, duke hyrë në territorin rus të Kurskut. Kjo ofensivë përfshin përdorimin e dronëve dhe armëve të rënda të siguruara nga aleatët perëndimorë, dhe përfaqëson një kthesë të re në luftën tashmë dyvjeçare mes Ukrainës dhe Rusisë.








