Hakerët raportohet se kanë ndërhyrë në platformën kryesore kompjuterike cloud të Forcave Ajrore të SHBA-së, një sulm kibernetik që vjen vetëm pak ditë pas raportimeve për aksesimin e paautorizuar të një baze të dhënash të CIA-s.
Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, ndërhyrja në platformën Cloud One të Forcave Ajrore të SHBA-së (USAF) mund të cenojë sigurinë e të dhënave të ndjeshme taktike, logjistike dhe të personelit.
Shkelja u zbulua gjatë muajit të fundit, në kohën kur po kryhej një përditësim i sistemeve, duke shkaktuar ndërprerje në të gjithë platformën. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar identiteti i hakerëve, shkalla e saktë e ndërhyrjes apo nëse janë vjedhur të dhëna.
Forcat Ajrore deklaruan se nuk komentojnë mbi gjendjen e sigurisë, dobësitë apo statusin operacional të rrjeteve dhe sistemeve specifike, duke shtuar se po marrin vazhdimisht masa për të mbrojtur informacionin dhe kapacitetet e misionit.
Cloud One është projektuar si një qendër kryesore për nevojat e teknologjisë së informacionit të Forcave Ajrore duke përfshirë të dhënat e personelit, pagat, logjistikën dhe mirëmbajtjen përmes shërbimeve të katër gjigantëve teknologjikë: Microsoft, Amazon, Oracle dhe Alphabet.
Megjithatë, sistemi përdoret gjithashtu për komandën, kontrollin dhe sistemin e integruar të municioneve luftarake (TICMS), i cili gjurmon dhe menaxhon rezervat e municioneve në më shumë se 200 lokacione në mbarë botën.
“Një ndërhyrje këtu është një çështje shumë e madhe,” tha njëri prej burimeve për Reuters. Një burim tjetër sqaroi se sulmuesit shfrytëzuan një dobësi softuerike për të arritur në sistemin e kontrollit, të cilën teorikisht mund ta përdorin për të kontrolluar statusin operacional të avionëve ushtarakë ose lëvizjen e pjesëve të këmbimit.
Ky incident vjen pas një serie ndërhyrjesh elektronike që kanë shënjestruar FBI-në, të dhënat e personelit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare, Departamentin e Thesarit dhe dy agjenci të inteligjencës.
Në një ndërhyrje të mëparshme në Pentagon, hakerët arritën të aksesojnë qendrën e të dhënave të personelit të mbrojtjes, duke prekur 2.76 milionë persona të gjallë dhe 294,000 të vdekur. Sipas Military.com, informacionet e ekspozuara përfshinin numrat e sigurimeve shoqërore, emrat, datëlindjet, të dhënat e kontaktit dhe specialitetet ushtarake.
Ndërkohë, më herët gjatë kësaj jave, New York Times raportoi se hakerët depërtuan në një sistem të përdorur nga CIA dhe Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) për të arritur në informacione të paklasifikuara. Sistemi i prekur është një mjet analitik që skanon materiale me burim të hapur. Ndërsa CIA nuk pranoi të komentojë, një përfaqësues i ODNI-t deklaroi për Bloomberg se nuk ka pasur ndërprerje të kapaciteteve kritike apo të sistemeve të klasifikuara.









