Një incident ka ndodhur dje gjatë një aktiviteti stërvitor të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës, ku si pasojë ka mbetur i lënduar një pjesëtar i saj.
Në reagmin e FSK-së, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur më 23 nëntor 2026 dhe se lëndimet e pësuara janë të natyrës së lehtë.
Menjëherë pas incidentit, pjesëtarit i është ofruar ndihma e parë dhe po vazhdon trajtimin mjekësor, ndërsa fatmirësisht gjendja e tij shëndetësore paraqitet stabile.
“Forca e Sigurisë së Kosovës njofton opinionin publik se më 23 nëntor 2026, gjatë realizimit të një aktiviteti stërvitor në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës, një pjesëtar i FSK-së, ka pësuar lëndim të lehtë. Menjëherë pas incidentit, pjesëtarit i është ofruar ndihma e parë mjekësore, ku po vazhdon trajtimin mjekësor dhe gjendja shëndetësore e pjesëtarit është stabile”, thuhet në komunikatë.
Nga FSK-ja kanë bërë të ditur se strukturat përgjegjëse tashmë janë duke i trajtuar rrethanat e këtij incidenti në përputhje me procedurat institucionale, duke i uruar njëherësh pjesëtarit shërim të shpejtë dhe rikuperim të plotë.









