Sylë Dakaj është viktima që humbi jetën pas të shtënave me armë zjarri që ndodhën mesditën e sotme në Suharekë, ndërsa i dyshuari për vrasjen, Rrahman Hoti, 60-vjeçar, tashmë ndodhet në prangat e Policisë.
Dakaj dyshohet se u qëllua disa herë me armë zjarri nga Hoti, pas një konflikti për një parking. Ai fillimisht mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua me urgjencë në Emergjencë, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.
Detaje të tjera për të kaluarën e të dyshuarit i ka siguruar ekskluzivisht Gazeta. Hoti dyshohet se kishte një të kaluar kriminale edhe në Zvicër, prej nga ishte dëbuar pasi kishte vrarë bashkëshorten e tij.
Sipas informacioneve ai kishte vuajtur disa vite burgim për këtë vepër penale, përpara se të dëbohej nga shteti zviceran.
Ndërkohë, pas të shtënave në Suharekë, Hoti ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por Policia arriti ta identifikonte dhe ta arrestonte.









