Një ngjarje e rëndë ka tronditur Britaninë e Madhe, ku një 47-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, ka humbur jetën pasi u godit me thikë në zemër, ndërsa po tentonte të shkonte vetë me makinë drejt spitalit.
Eleanor Barnfield, punonjëse e një shoqate të strehimit, u gjet e plagosur rëndë brenda automjetit të saj më 19 tetor, në qytetin Bridgend të Uellsit.
Sipas gazetës britanike Daily Mail, 47-vjeçarja ishte sulmuar me thikë gjatë kohës që ndodhej në punë, në kompleksin e banimit Ger-Y-Nant, ku jetojnë persona të moshuar.
Pas sulmit, ajo tentoi të drejtohej vetë drejt Spitalit Princesha e Uellsit, që ndodhej rreth 2.4 kilometra larg. Megjithatë, arriti të përshkonte vetëm rreth 275 metra, përpara se të humbiste kontrollin e automjetit dhe të përplasej me një mur.
Eleanor u gjet nga ekipet e emergjencës me një plagë të rëndë në gjoks dhe u dërgua në spital, ku më vonë ndërroi jetë. Sipas të dhënave të paraqitura në seancën hetimore, shkaku paraprak i vdekjes ishte një plagë me thikë që kishte prekur zemrën.
Për vrasjen e dyshuar është akuzuar Clifford Foster, 61-vjeçar dhe banor i kompleksit ku ndodhi sulmi. Ai është paraqitur në gjykatë dhe është lënë në paraburgim. Seanca e radhës, për pranimin e fajësisë dhe përgatitjen e gjykimit, është caktuar më 23 nëntor.
Familjarët e kanë përshkruar Eleanor-in si nënën më të dashur dhe një nga njerëzit më të guximshëm, duke thënë se ajo ishte shtylla e familjes.
“Ishte gjithçka për ne”, kanë deklaruar ata në mesazhin e tyre prekës.
Pas ngjarjes u ngritën pretendime se 47-vjeçarja kishte pritur për orë të tëra ambulancën përpara se të vendoste të nisej vetë drejt spitalit. Megjithatë, Shërbimi i Ambulancës së Uellsit i ka mohuar këto pretendime, duke bërë të ditur se ekipet emergjente u njoftuan në orën 12:44 dhe njësia e parë mbërriti në vendngjarje shtatë minuta më vonë.
Ndërkohë, hetimi për vdekjen e saj është shtyrë nga mjekja ligjore Rachel Knight deri në përfundimin e procedurave penale.









