Një nxënës praktikant 16-vjeçar ka humbur jetën të mërkurën në mëngjes në një aksident pune në Leibstadt të kantonit Aargau në Zvicër. Tragjedia ka ndodhur në Kuratle Jaecker, një firmë që merret me përpunimin e drurit, raporton gazeta zvicerane Blick.
Sipas një lexuesi që e ka njoftuar gazetën, mbi të riun ka rënë një karrocë ngritëse. Ndihma është dhënë menjëherë, por 16-vjeçari ka vdekur në vendin e ngjarjes. Policia e kantonit Aargau e ka konfirmuar aksidentin. Si ka ndodhur saktësisht ende po hetohet.
Vdekja e tij i ka tronditur shokët. Mes tyre është edhe i riu shqiptar Rrust Golaj, 17 vjeç, që ishte shoku i tij më i mirë. Ai ka marrë vesh për tragjedinë të mërkurën rreth orës 11.
“Nuk mund ta besoja se ai tani thjesht nuk është më”, i ka thënë Golaj gazetës Blick.
Ai e përshkruan shokun e tij si një djalë gjithmonë pozitiv. “Ai nuk tregonte kurrë emocione të këqija”, ka thënë 17-vjeçari. Sipas tij, shoku i tij kishte shumë ëndrra dhe donte të kursente para për prindërit e tij.
Firma, një biznes familjar që tani drejtohet nga brezi i tretë, e ka ndalur punën të mërkurën që hetimet të zhvillohen pa pengesa.
Drejtori i firmës, 37-vjeçari Roger Kuratle, i ka konfirmuar Blick-ut se i riu ka vdekur në ambientet e firmës dhe se rastin po e hetojnë policia dhe prokuroria. “Kjo është nga gjërat më të rënda që mund të ndodhin dhe na vjen jashtëzakonisht keq”, ka thënë ai, duke u shprehur ngushëllime familjes dhe të afërmve të viktimës. Kuratle, që është edhe vetë baba, ka thënë se ngjarja e ka prekur thellë.
Identiteti i 16-vjeçarit nuk është bërë publik.









