Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, në margjinat e Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kurti përmes një postimi në Facebook, ku ka treguar se në takim është diskutuar për marrëdhëniet dypalëshe, sigurinë dhe mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kurti ka falënderuar kryeministrin kanadez për miqësinë dhe përkrahjen e vazhdueshme të Kanadasë ndaj Kosovës, duke përmendur pranimin e mijëra refugjatëve kosovarë gjatë vitit 1999, pjesëmarrjen në intervenimin e NATO-s, kontributin në rindërtim dhe zhvillim, si dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.
Ai ka përmendur gjithashtu mbështetjen e Kanadasë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Kreu i Qeverisë ka rikujtuar edhe pjesëmarrjen e një delegacioni qeveritar të Kosovës në Konventën e Shoqatës së Kërkuesve dhe Zhvilluesve të Kanadasë (PDAC), e mbajtur në Toronto në mars të këtij viti, një prej ngjarjeve më të mëdha botërore në sektorin e minierave.
Kurti e ka cilësuar Kanadanë, si anëtare të NATO-s dhe G7, mike dhe partnere të rëndësishme të Kosovës në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe promovimit të vlerave të përbashkëta.









