Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka vazhduar gjykimi ndaj Zekë Jasiqit, i akuzuar për fajde dhe detyrim. Gjatë kësaj seance, i dëmtuari Faton Dalladaku ka rrëfyer për atë që e cilësoi si “ngulfatje fizike e financiare”, si pasojë e përndjekjes dhe presionit të ushtruar nga i akuzuari.
Dalladaku sqaroi ecurinë e projektit “Qyteti Italian”, i nisur në vitin 2001, ku ai zotëronte 30% të aksioneve përballë 70% të partnerëve italianë. Pas tërheqjes së këtyre të fundit, punimet, sipas tij, u bllokuan për të rinisur më vonë me një kompani turke, me të cilën ndante aksionet përgjysmë. Megjithatë, i dëmtuari tha se në vitin 2012 gjithçka u pezullua sërish për shkaqe sigurie dhe për shkak të detyrimit nga Jasiqi, me ç’rast kishte mbetur i detyruar t’ia linte atij peng 3 nga 6 hektarët e projektit.
Lidhur me transaksionet e pronave, Dalladaku deklaroi se kishte blerë rreth 14 hektarë tokë nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) për 300 mijë euro (rreth 214 euro për ar), prej të cilave 7 hektarë ia kishte shitur Jasiqit për 210 mijë euro. Pjesën tjetër të tokës ai e kishte shitur te persona të tretë me çmim prej 700 eurosh për ar, marrëveshje kjo e ndërmjetësuar nga Jasiqi, i cili merrte 100 euro për çdo ar të shitur.
Nga ana tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Tahir Rrecaj, prezantoi një marrëveshje të vitit 2010 për blerjen e 6 hektarëve tokë në vlerë prej 360 mijë eurosh mes Dalladakut dhe Jasiqit, duke i kërkuar të dëmtuarit sqarime rreth këtij dokumenti.
Dalladaku pranoi se e përpiloi dhe nënshkroi bashkë me Jasiqin këtë kontratë, ku sipas tij shihet qartazi se Jasiqi tenton ta mashtrojë dhe manipulojë, e për qëllim që ta bindë Vllaznim Kelmendin se “kinse e ka paguar tokën me këtë çmim”, pra për ta mashtruar.
“Ky m’ka thanë ti fito, edhe unë fitoj – mos ta merr vesh ai, e ta mashtroj ata, po une s’jam mashtruse”, tha Dalladaku kur u pyet nëse nënshkroi edhe vetë këtë kontratë.
Ai shtoi se ishte instrumentalizuar për qëllime të Jasiqit, në interes të përbashkët.
Tutje, Dalladaku tha se transferimi i pronës së tij (14 hektarësh) ishte bërë te Astrit dhe Arben Krasniqi dhe atë përmes një kontrate të shitblerjes të falsifikuar, dhe se emrin e tij e kishte nënshkruar avokati Ilir Ramaj – i cili sipas Dalladakut kishte nënshkruar dhe pranuar mjetet.
Dalladaku tha se avokati Ramaj kishte autorizim sa i përket tokës prej 4 hektarësh, e jo asaj prej 14 hektarë, e se ata kishin marrë me 1 shitje 2 toka. Tha se mjetet financiare për ato 4 hektarë i kishte pranuar.
Ai shtoi se me çështjen e 14 hektarëshit të tjetërsuar, po merret Prokuroria dhe Gjykata.
Seanca e radhës në këtë gjykim u caktua për në dhjetor.
Trupi gjykues në këtë rast përbëhet nga Adnan Kamberi– kryetar, Gent Beka dhe Agim Kuçi– anëtarë.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më datë 7 shkurt 2023 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, i pandehuri Zekë Jasiqi akuzohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, me kanosje serioze, duke përdorur forcë kishte kërkuar nga i dëmtuari Faton Dalladaku të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij, duke i imponuar një borxh prej 160,000 euro, borxh ky i cili nuk kishte ekzistuar.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Detyrimi” nga 340, paragrafi 2 të Kodit Penal.
Po ashtu, i akuzuari Zekë Jasiqi akuzohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit, duke mos respektuar marrëveshjen verbale me të dëmtuarin rreth huasë 200,000 euro për pagesën e një shtëpie në Hajvali, e ka detyruar të lidhë një marrëveshje të re me të cilën kërkon nga i dëmtuari 360,000 euro me kamatë mujore 1% me arsyetimin se aq është overdrafti bankar.
Kështu, aktakuza thotë se ai ka kontraktuar një shumë dukshëm joproporcionale dhe paratë janë transefruar në llogari të B.P., ndërsa shtëpia në Hajvali është regjistruar në emër të të akuzuarit. Si rezultat i dëmtuari ka mbetur pa shtëpi dhe shumën e paguar prej 500,000 euro.
Me këtë, i akuzuari Jasiqi ngarkohet me veprën penale “Fajdeja” nga neni 343, paragrafi 3 të Kodit Penal.








