Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka reaguar përmes një postimi lidhur me protestën për rastin e Arlindës, duke thënë se dhimbja dhe kërkesa për drejtësi nuk duhet të përvetësohen nga asnjë parti apo organizatë.
Musliu ka theksuar se protesta duhet të jetë e hapur për të gjithë qytetarët që kërkojnë drejtësi dhe llogaridhënie nga institucionet, pavarësisht përkatësisë së tyre politike.
“Arlinda nuk është pronë e askujt. As vdekja e saj nuk mund të shndërrohet në mjet për të përjashtuar zërat e tjerë nga kërkesa për drejtësi. Protesta është e qytetarëve. Është e secilit që beson se jeta e një gruaje vlen më shumë se deklaratat, fjalimet dhe lotët e derdhur para kamerave”, ka shkruar Musliu.
Ajo ka thënë se nuk do të marrë pjesë në protestë për të mbrojtur ndonjë parti politike, por për të kërkuar drejtësi, përgjegjësi dhe institucione që mbrojnë jetën e qytetarëve.
“Unë nuk shkoj në protestë për të mbrojtur ndonjë parti. Shkoj për të kërkuar drejtësi, përgjegjësi dhe institucione që e mbrojnë jetën. Nëse ka pasur neglizhencë, shpërfillje të rrezikut apo dështim institucional, duhet të ketë hetim të paanshëm, përgjegjësi konkrete dhe masa ligjore ndaj secilit që ka dështuar në detyrën e tij. Jo vetëm premtime. Jo vetëm deklarata. Veprime!”, ka deklaruar ajo.
Deputetja ka kritikuar gjithashtu përpjekjet për ta përvetësuar protestën, duke theksuar se asnjë palë nuk duhet ta kufizojë të drejtën e qytetarëve për të kërkuar llogari.
“Asnjë parti nuk ka të drejtë ta privatizojë dhimbjen e Arlindës. Por asnjë organizator nuk ka të drejtë ta privatizojë revoltën e qytetarëve. Drejtësia nuk ndërtohet me ultimatume ndaj qytetarëve, me kërcënime për konfrontim apo me ndarje mes atyre që duhet të jenë bashkë. Ndërtohet duke e drejtuar revoltën aty ku duhet: te përgjegjësia e atyre që kanë pasur detyrë ta mbrojnë jetën”, ka shkruar Musliu.
Musliu ka theksuar se drejtësia për Arlindën dhe siguria e grave duhet të jenë përgjegjësi e të gjithë shoqërisë, e jo çështje e interesave partiake.








