Në Gjykatën e Apelit sot shqyrtohet sërish rasti ndaj Tush Frrokajt, i akuzuar për vrasjen e dhëndrit të tij, Anton Prelajt, në një lokal në qendër të Klinës. Rasti ka mbërritur në shkallën e dytë pas rigjykimit.
Frrokaj ishte dënuar fillimisht me dënim unik prej 21 vjetësh burgim nga Gjykata Themelore në Pejë, më 30 prill 2025. Megjithatë, ky aktgjykim ishte anuluar nga Apeli dhe çështja ishte kthyer në rigjykim.
Në vendimin për kthimin e rastit në rigjykim, Apeli kishte konstatuar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe mangësi në vlerësimin e provave. Gjykata e shkallës së dytë kishte kundërshtuar edhe ricilësimin e veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje”, të bërë nga Themelorja.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, ngjarja kishte ndodhur më 7 gusht 2023, kur Frrokaj dyshohet se kishte shtënë shtatë herë me armë zjarri në drejtim të Prelajt.
Prokuroria pretendon se i akuzuari fillimisht kishte shtënë katër herë drejt viktimës dhe, teksa po largohej nga lokali, ishte kthyer dhe kishte shtënë edhe tri herë. Me këto veprime, sipas aktakuzës, kishte privuar nga jeta Prelajn dhe kishte rrezikuar edhe personat e tjerë të pranishëm.
Frrokaj ngarkohej edhe për armëmbajtje pa leje, shtrëngim dhe marrje në posedim të pasurisë së luajtshme, lidhur me veprimet që pretendohet se kishte kryer gjatë largimit nga vendi i ngjarjes.








