Gazeta ka mësuar detaje të veprimeve institucionale për rastin e tashmë të ndjerës Arlinda Zekaj.
Gazeta ka siguruar komunikimin elektronik të hetuesit Qendrim Sheremeti, i cili i ishte drejtuar prokurores dhe njëkohësisht koordinatores për dhunë në familje në Prokurorinë Themelore të Pejës, Arlinda Nallbani Gacaferri si dhe zinxhirit të brendshëm komandues policor, me kërkesë që viktima të vizitohej në baza ditore nga njësia patrulluese policore.
Në shkresën që mban datën 23 tetor, hetuesi policor Sheremeti i kishte njoftuar se situata brenda shtëpisë ku jetonte viktima me ish-bashkëshortin ishte acaruese, andaj nevojitej kontrolli policor.
“Siç edhe jeni në dijeni që nga momenti i parë se e njëjta është trajtuar nga Sektori i Hetimeve “Dhuna në familje” dhe tani ekziston edhe një Urdhër mbrojtës i lëshuar nga Gjykata Themelorë në Pejë, ku viktimës i është lejuar shkuarja në shtëpinë e saj në fshatin Vitomericë – Pejë. Ashtu siç edhe jeni në dijeni se edhe mbrëmë ka pas rrethana dhe situata acaruese brenda shtëpisë ku tani gjendet viktima, e njëjta është trajtuar me profesionalizmin më të madh sa i përketë situatës së krijuar mes saj, ish-bashkëshortit dhe familjarëve të tij”, thuhet në komunikimin e brendshëm elektronik.
Tutje, hetuesi kishte vlerësuar se për menaxhimin e situatës, nevojitën komunikim i përditshëm me qëllim të raportimit për çdo ndryshim eventual.
“Konsideroj që do të ishte e nevojshme që tani kur viktima Arlinda Sylaj Zekaj gjendet në shtëpinë e saj të përbashkët me ish-bashkëshortin, që në baza ditore e njëjta të vizitohet nga një patrullë e uniformuar policore, të ketë një komunikim me të mbi gjendjen dhe situatën në të cilën ndodhet ajo e poashtu të na raportohet çdo ndryshim.
Ju lutem që kërkesën time ta merrni parasysh, sepse e konsideroj që një veprim i tillë do të ishte i mirëseardhur edhe për vet viktimën”, i kishte njoftuar hetuesi Sheremeti.
Gazeta ka tentuar të marrë përgjigje nga Sheremeti nëse kërkesa e tij ishte aprovuar apo jo, mirëpo i njëjti ka kërkuar që çdo informacion të merret nga zyra për media.
Në anën tjetër, zëdhënësi për media Driton Rugova ka thënë se nuk ka informacione për këtë.
Shkresa e hetuesit Sheremeti drejtuar prokurores dhe zinxhirit komandues policor ishte bërë vetëm një ditë pasi viktima e kishte deponuar shkresën e saj në Prokurorinë Themelore të Pejës, duke ju drejtuar kryeprokurorës Lumturije Vucetaj.
Në këtë shkresë të publikuar ekskluzivisht nga Sinjali, viktima kërkonte veprime hetimore ndaj të gjithë zyrtarëve përgjegjes për mosrespektimin e urdhërit gjyqësor.








