Arlinda Zekaj u vra mbrëmë në Pejë. I dyshuari për vrasjen e saj është kunati i saj, Albert Sylaj. Një tjetër letër e së ndjerës është publikuar nga Natyra Kuçi e PSD-së, e cila shkon në drejtim të kryetarit të Gjykatës së Pejës.
Në letër, tashmë e ndjera shpreh shqetësimet për mënyrën se si janë trajtuar kërkesat dhe shqetësimet e saj. “Nuk kërkoj mëshirë, por drejtësi”.
Më tej, e ndjera flet për një vendim të gjykatës, të cilin e quan kontroverz dhe thotë se ia “bën të vështirë jetën e një burri dhe një gruaje dhe të fëmijës”.
“Sa i përket gjyqtarit, i cili kishte lëshuar urdhër që Linda të jetonte me burrin në të njëjtën shtëpi, por duke mbajtur 2 metra distancë. Në atë shtëpi ku kunati, vjehrra dhe burri ishin bashkuar për ta ndjekur Lindën, për ta torturuar e për t’ia fshehur djalin. Në atë shtëpi ku përditë arrestohej dikush e lirohej të nesërmen”, deklaron Kuçi, e cila e ka publikuar letrën.
Letra e plotë:
I nderuar z. kryetar,
Rastet nuk qenkan të rastësishme! Tani e shoh a kontribuat para institucioneve në vrasjen e grave.
Ju jeni njoftuar me kohë – takimi me gjyqtaren, pra, veprime konkrete, është zero!
Afatet ligjore janë tejkaluar dhe ligji e kompetenca e gjyqtarit nuk mund të zëvendësohen me fjalën „mundësi“!
Për më shumë, gjyqtari i juaj lëshon vendim kontradiktor e bën të vështirë jetën e një burri dhe një gruaje dhe të fëmijës.
Pse? Ndoshta nuk di, ndoshta di çfarë nuk duhet të dijë – … e në veçanti me të fortët. E dhimbshme deri në asht.
Kurseni kohën dhe merruni me substancë, jo me „mundësi“!
Nuk jeni tu luajtë loto, por tu e bartë ligjin në shërbim të qytetarëve!
Pas vrasjes, time nuk mund të përgjigjeni – por pres të mos mund të flini!
Faleminderit që më morët kohë për ta arsyetu vetën dhe gjyqtarin.









