Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, e cila dyshohet se u vra nga kunati i saj.
Muhaxheri ka thënë se kjo tragjedi i ka tronditur të gjithë, duke theksuar se vrasja e Arlindës, përveç dhimbjes së madhe për familjen e saj, është edhe një kambanë e fortë alarmi për shoqërinë dhe mekanizmat institucionalë.
Përmes një reagimi, ai ka bërë të ditur se, pas shqetësimeve dhe thirrjeve të fundit publike e institucionale të Arlindës, është kërkuar menjëherë një pasqyrë e plotë dhe verifikim i çdo hapi dhe kontakti që institucionet komunale kanë pasur në këtë rast.
“Nuk do të lejojmë asnjë lloj fshehjeje apo minimizimi të përgjegjësisë”, ka theksuar Muhaxheri.
Ai u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës dhe të gjithë qytetarëve, duke ritheksuar përkushtimin për mbrojtjen e grave dhe për të siguruar që asnjë thirrje për ndihmë të mos mbetet pa përgjigje.
“Pasi pamë shqetësimet dhe thirrjet e saj të fundit publike e institucionale, kemi kërkuar menjëherë një pasqyrë dhe verifikim të plotë të çdo hapi dhe kontakti që institucionet tona kanë pasur në këtë rast. Nuk do të lejojmë asnjë lloj fshehjeje apo minimizimi të përgjegjësisë. Si Kryetar i Komunës së Pejës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithë qytetarëve. Angazhimi ynë për të mbrojtur gratë dhe për të siguruar që asnjë thirrje për ndihmë të mos mbetet e shurdhër do të jetë i palëkundur, duke bashkëpunuar ngushtë me drejtësinë për të zbardhur plotësisht çdo detaj të këtij rasti”, ka shkruar Muhaxheri.








