Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, gjatë qëndrimit në Hungari ka takuar bashkatdhetarët që jetojnë dhe veprojnë atje, në një pritje të organizuar në Ambasadën e Kosovës në Budapest.
Gjatë takimit, ajo vlerësoi kontributin e mërgatës në historinë e Kosovës, duke veçuar rolin e saj në rezistencën paqësore, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në procesin e shtetndërtimit.
Presidentja çmoi gjithashtu përkushtimin e komunitetit kosovar në Hungari, duke theksuar se puna, sipërmarrja dhe sukseset e tyre kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
Një vëmendje të veçantë ajo i kushtoi edhe studentëve kosovarë që studiojnë në Hungari. Sipas saj, rreth 300 studentë nga Kosova ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë në këtë shtet, ndërsa shprehu shpresën që dijen dhe përvojën e fituar ta vënë në shërbim të zhvillimit të vendit.
Shiroka Pula u bëri thirrje bizneseve të mërgatës që të shqyrtojnë mundësitë për investime dhe partneritete afatgjata në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e përvojës, dijes dhe energjisë së bashkatdhetarëve për të ardhmen e vendit.
Në fund, presidentja i falënderoi bashkatdhetarët për kontributin e vazhdueshëm, duke theksuar se dyert e atdheut mbeten të hapura për të gjithë ata që dëshirojnë të kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës.








