Familja Geci ka dalë me njoftim rreth gjendjes shëndetësore të ish-deputeti i Kuvendit, Gani Geci i cili ka pësuar një rënie drastike të tensionit të gjakut gjatë qëndrimit në Burgun e Pejës, më 20 tetor rreth orës 15:00.
Sipas familjes, ai aktualisht po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.
Në një njoftim drejtuar opinionit publik, familja Geci ka bërë të ditur se gjendja është vërejtur gjatë një matjeje rutinore të tensionit të gjakut, kur vlerat kanë rezultuar 60 me 40, pa shfaqur paraprakisht simptoma.
Familja ka njoftuar se stafi mjekësor i Spitalit të Përgjithshëm të Pejës po punon intensivisht për të identifikuar shkaqet e kësaj rënieje të rëndë të tensionit.
Në të njëjtën kohë, familja Geci ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për stafin e Burgut të Pejës, duke vlerësuar kujdesin e treguar, reagimin profesional dhe angazhimin institucional në këtë situatë shqetësuese.
“Familja jonë vlerëson lart përkushtimin, profesionalizmin dhe kujdesin e të gjithë atyre që po angazhohen për shëndetin dhe mirëqenien e vëllait tonë”, thuhet në njoftim.
Familja Geci ka falënderuar të gjithë personat e përfshirë në përkujdesjen ndaj Gani Gecit, duke shprehur vlerësimin e saj për angazhimin në këto momente të vështira.









