Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, e ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, për keqmenaxhimin e sistemit shëndetësor, duke ngritur shqetësimin për mungesën e barnave për pacientët me kancer.
Gjatë një seance në Kuvendin e Kosovës, Ymeri ka përmendur rastin e një gruaje që vdiq nga kanceri dhe që, sipas saj, për rreth katër muajt e fundit të jetës kishte mbetur pa terapinë Palbociclib, për shkak të mungesës së saj në Klinikën e Onkologjisë.
Ajo ka deklaruar se përparimi i sëmundjes së pacientes mund të ishte ngadalësuar nëse ajo do ta kishte marrë terapinë, ndërsa përgjegjësinë për gjendjen në shëndetësi ia ka adresuar ministrit Vitia.
“Ka pas me u ngadalësu përparimi sëmundjes e në mungesë të hapit nuk është bërë…. Ministër…nuk e di qysh flen natën kur dikush në gjoks e ka kancerin e ju e rregulloni mindilin. Mbi 42 për qind janë rritë rastet e reja me tumor… Krejt kjo ka ndodhë shumicën e kohës që keni qenë ju. Me këtë plan efikas nuk kish mujt me kanë as plani i armikut për zhdukjen e këtij populli”, ka thënë ajo në Kuvend.








