Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu në seancën plenare ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës që hetimi i iniciuar për protestën e 5 tetorit të jetë i plotë, i pavarur dhe i paanshëm.
Ajo tha se nuk duhet të hetohet vetëm zyrtari që zbatoi urdhri, por sipas saj, i gjithë zinxhiri komandues.
“Më 5 tetor, në ditën e 21-të të protestës gjithëpopullore kundër dënimit të krerëve të UÇK-së në Hagë, dhe kërkesës së qartë për votimin e ndryshimit të Ligjit të Dhomave të Specializuara ndodhi ajo që në një shtet demokratik nuk do të duhej të ndodhte. Në orët e mbrëmjes të 5 tetorit, dikush dha urdhër për përdorim të forcës policore ndaj qytetarëve që kishin dalë për të protestuar. Kjo erdhi pas 20 ditë proteste, ku gra, burra, djem e vajza, fëmijë e të moshuar, kishin protestuar në mënyrë paqësore, me dinjitet e asnjë incident. Më 5 tetor, qytetarët u përballën me masë të madhe të gazit lotsjellës, me topa gome, me ujë të ftohtë, dhe skena të papara të dhunës fizike. Kjo situatë, nuk ishte përgjigje ndaj një situate të krijuar nga protestuesit, por ishte një skenar i kurdisur për t’i provokuar qytetarët në shesh pa marrë fare në konsideratë që mund të merrej jeta e atyre që po protestonin për një kauzë të shenjtë. Ajo që pamë atë pasdite ishte e frikshme dhe e papranueshme”, tha Musliu.
“Prandaj sot, kërkojmë nga Inspektorati Policor i Kosovës që hetimi i iniciuar të jetë i plotë, i pavarur dhe i paanshëm për të gjitha veprimet policore gjatë protestës së 5 tetorit. Kërkojmë të identifikohen të gjithë zyrtarët e përfshirë në përdorim të panevojshëm të forcës policore, të hetohet jo vetëm polici që zbatoi urdhrin, por të hetohet i gjithë zinxhiri komandues. Ku dhe nga kush u dha urdhri për ndërhyrje?”, u shpreh ajo.
Ndër të tjera, Musliu bëri thirrje që të mos keqpërdoret Policia e Kosovës, derisa theksoi se askush nuk e fajëson institucionin.








