Tirana në kaos/ Protestuesit sulmuan ministritë dhe bankat, u plaçkitën edhe bizneset private

Kaos në kryeqytet. Gjysmë dite protestë e dhunshme, përplasje me policinë dhe dëme të shumta materiale në Tiranë. Kjo ishte dita e djeshme në kryeqytetin shqiptar.

Protestuesit u zhvendosën nga njëra pikë e kryeqytetit në tjetrën, duke sulmuar godina institucionesh, biznese dhe banka, ndërsa policia ndërhyri në disa momente me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për t’i zmbrapsur, teksa arrestoi dhjetëra protestues.

Dhuna nisi te Ministria e Arsimit, ku godina u sulmua sërish me gurë dhe flakë. Të rinj me fytyra të mbuluara shkulën kangjellat e trotuareve, i grumbulluan përpara godinës dhe goditën institucionin me gurë. Përplasjet vazhduan në Rrugën e Durrësit.


Protestuesit sulmuan dhe dëmtuan disa biznese private, ndërsa një bankë private e nivelit të dytë u dogj dhe u shkatërrua. Protesta e dhunshme vijoi drejt Sheshit “Skënderbej”, ku protestuesit u vunë flakën stolave dhe kazanëve të mbeturinave.

Një tjetër vatër e dhunës ishte Ministria e Ekonomisë. Protestuesit hynë në katin e parë të godinës, shkulën dyer, thyen xhama dhe nxorën orenditë jashtë ambienteve

Sulmet prekën edhe Ministrinë e Brendshme, ku u godit godina dhe u thyen xhamat.


Më pas, protestuesit u ndanë në dy grupime, njëri në Sheshin “Skënderbej” dhe tjetri pranë Ministrisë së Ekonomisë, për t’u zhvendosur më tej drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u sulmuan ndërtesat, përgjatë tij.

Dëmtime të mëdha pati edhe te Piramida e Tiranës, ku u thyen xhama dhe u shkatërruan dhe u dogjën pjesë të ambienteve. Edhe në këtë zonë u sulmua një tjetër bankë private e nivelit të dytë.


Protestuesit vijuan më pas drejt Kryeministrisë, ku u dogjën pemët në hyrjen anësore të godinës.

Protesta e dhunshme u zhvendos edhe te ndërtesa ku janë vendosur Kryesia e Kuvendit dhe Gjykata Kushtetuese. Protestuesit mësynë drejt godinës dhe tentuan të futeshin brenda. Më pas shkatërruan dhe dogjën bizneset që ndodhen në katin e parë të dy godinave të njohura si “Kullat Binjake”.

Protestuesit u zhvendosën drejt qendrës së kryeqytetit, sulmuan edhe Ministrinë e Drejtësisë. Ata kanë thyer xhamat dhe i kanë vënë flakën katit të parë.

Një grup tjetër protestuesish thyen xhamat e qendrës tregtare pranë Kalasë së Tiranës. Policia ndërhyri në disa prej vatrave të tensionit, duke përdorur autobotë me ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të zmbrapsur dhe shpërndarë protestuesit.

Tensione pati edhe në komisariatin nr.2, ku u dogj një automjet policie dhe u lënduan dy efektivë policie. Në rrugën e Elbasanit u shkatërrua rrethimi dhe sinjalistika rrugore, teksa e njëjtë gjë ndodhi edhe te Zogu i Zi. Rreth orës 22:00 protestuesit u shpërndanë për t’i dhënë fund protestës së sotme, një nga më të dhunshmet e dekadave të fundit.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Ervin Demo, në një postim në Facebook ka thënë se 51 policë janë lënduar në protestën e të mërkurës që përshkallëzoi.

Ai ka thënë se disa prej policëve të lënduar janë në Spitalin Ushtarak, ku po marrin kujdesin shëndetësor.

“Dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit është e papranueshme dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë. E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna ndaj atyre që kanë për detyrë të mbrojnë rendin dhe sigurinë nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë pjesë e saj. Mirënjohje dhe respekt për çdo punonjës policie që sot, përballë dhunës dhe rrezikut, qëndroi në krye të detyrës me profesionalizëm, përkushtim dhe përgjegjësi. Ju uroj shërim sa më të shpejtë të gjithë efektivëve të lënduar. Jemi pranë jush dhe familjeve tuaja. Pas uniformës është njeriu. Pas detyrës është sakrifica. Dhe kjo sakrificë meriton respektin e të gjithëve”, ka shkruar Demo.

Ministria e Shëndetësisë e Shqipërisë ka bërë të ditur se 29 persona po trajtohen në Spitalin e Traumës në Tiranë, si pasojë e lëndimeve të marra në dhunën në protestën e sotme.

Ministria ka bërë të ditur se prej të lënduarve janë 23 policë, pesë protestues e një kalimtar.

Ministria ndërkohë ka bërë të ditur se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk ka aktualisht persona të lënduar.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit