Burri i këshilltares së Albulena Haxhiut bëhet këshilltar për media i presidentes, por Presidenca hesht

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e ka emëruar Bekim Kupinën këshilltar për media në kabinetin e saj, duke rikthyer në Presidencë ish-këshilltarin e Vjosa Osmanit.

Kupina është bashkëshorti i Vlora Konushevcit, këshilltares për media të kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Megjithatë, Presidenca e Kosovës nuk ka pranuar të japë sqarime për Gazetën lidhur me këtë emërim.

Nacionale gjatë ditës së sotme i ka dërguar pyetje Presidencës, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Përderisa institucioni i presidentes ka heshtur ndaj interesimit të gazetës, vetë fotografitë e publikuara nga Presidenca kanë dëshmuar praninë e Kupinës në ekipin presidencial.

Në fotografitë e shpërndara sot nga Presidenca, gjatë një takimi të presidentes Justina Shiroka-Pula me dy senatorë amerikanë, Kupina shihet i ulur pranë shefes së shtetit.

Prania e tij në këtë takim zyrtar vjen vetëm tri ditë pasi Nacionale kishte raportuar për emërimin e pritshëm të tij në kabinetin e presidentes së re.

Nacionale raportoi se Kupina pritej t’i bashkohej Presidencës në pozitën e këshilltarit për media, të cilën e kishte ushtruar edhe gjatë mandatit të Vjosa Osmanit.

Tashmë, fotografitë e publikuara nga Presidenca konfirmojnë praninë e tij në aktivitetet zyrtare, teksa institucioni vazhdon të mos japë përgjigje për emërimin.

Kupina nuk është emër i panjohur në gazetari dhe në institucionet e Kosovës.

Nga viti 2020 deri në prill të vitit 2026, ai ka shërbyer si këshilltar për media i kryetares së Kuvendit dhe më pas i presidentes së Kosovës.

Ky emërim vjen në një kohë kur presidentja Shiroka-Pula është përballur me kritika për përzgjedhjen e personave të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje në kabinetin e saj.

Nacionale ka raportuar më herët se presidentja e sapozgjedhur ka emëruar shefe të stafit Berita Abazin, ish-shefen e stafit të Albulena Haxhiut.

Abazi është gjithashtu asambliste e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Presidentja ka emëruar zëvendësshefe të stafit Donika Kavajën, ish-bashkëpunëtoren e saj në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Ndërkohë, në aktivitetet e para të presidentes ishte parë edhe Getoar Sylaj, aktivist i Vetëvendosjes, përfshirë takimin e saj me kryeministrin Albin Kurti.

Këto emërime kanë nxitur reagime dhe kërkesa që presidentja të ndërtojë kabinet profesional, të pavarur nga ndikimi i partive politike.

Analisti Shenoll Muharremi kishte kërkuar publikisht nga Shiroka-Pula që të korrigjonte emërimet dhe të përzgjidhte bashkëpunëtorë të pavarur politikisht.

Kritikat lidhen me pritjet që presidentja, si përfaqësuese e unitetit të popullit, të ruajë pavarësinë institucionale nga subjektet politike.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit