Një tjetër ngjarje e rëndë ka tronditur Gjilanin mbrëmjen e së dielës. Një 29-vjeçar dyshohet se është vrarë me armë zjarri në fshatin Pogragjë, ndërsa personi i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ndodhet në kërkim policor.
Sipas informacioneve të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 11 tetor 2026, rreth orës 19:30, kur autoritetet janë njoftuar për të shtëna me armë zjarri në këtë fshat.
Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore dhe Prokurori i Shtetit.
Nga informacionet fillestare dyshohet se si pasojë e të shtënave ka humbur jetën një mashkull i lindur në vitin 1997. Vdekja e tij është konstatuar në vendin e ngjarjes nga ekipi mjekësor.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari është person i njohur për organet e rendit, i cili dyshohet se është larguar menjëherë pas kryerjes së veprës.
Aktualisht, Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po ndërmerr veprime hetimore dhe operative për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë.








